Menaxhonte një faqe lajmesh në rrjetet sociale, vritet djali i politikanit në Meksikë.

Menaxheri i një faqeje me përmbajtje lajmesh në rrjetin social “Facebook” u gjet i vrarë në një rrugë në shtetin jugor meksikan të Chiapas, tha zyra e prokurorit të shtetit, e cila po heton rastin. Trupi i Victor Cullebro Morales, 39 vjeç, që menaxhonte faqen ‘Realidades’, ka më shumë se 20,000 ndjekës, u gjet nga garda kombëtare në një rrugë që lidh qytetet Arriaga dhe Hiquipilas.
“Një hetim për vrasje të rëndë është duke u zhvilluar”, shtoi prokuroria, pa sqaruar nëse ishte duke punuar në një rast apo nëse ka një të dyshuar konkret. Trupi kishte plagë plumbash dhe plagë me thikë, sipas mediave meksikane. Sipas raportimeve, Victor Cullebro Morales ishte djali i një politikani në Chiapas, i cili ka mbajtur poste të ndryshme. Vitet e fundit ai ishte i lidhur me organizimin e manifestimeve kulturore dhe artistike.
Organizata joqeveritare Reporterët pa Kufij, e intervistuar nga AFP, tha se viktima nuk ka pasur asnjë aktivitet tjetër gazetaresk, përveç kësaj faqeje në Facebook.

Organizatat që mbrojnë lirinë e shprehjes theksojnë se njerëz si ai, të cilët alternojnë veprimtarinë gazetareske me të tjerë dhe nuk punojnë zyrtarisht në media, përballen me vështirësi për t’u konsideruar gazetarë. Prokuroria e ngarkuar me trajtimin e krimeve ndaj gazetarëve nuk ka komentuar mbi rastin. Meksika, e përfshirë për dekada nga një valë dhune që i atribuohet bandave të krimit të organizuar, renditet ndër vendet më të rrezikshme në botë për punonjësit e medias. Më shumë se 150 gazetarë janë vrarë në atë vend që nga viti 1994, sipas shifrave të RSF.

 

Të Fundit