Zjarri i rënë pasditen e ditës së djeshme në lagjen “Ndoc Mazi” të Shkodrës në tregun e rrobave të përdorura, ka lënë dhjetëra tregtarë pa punë e pa mall pasi i është djegur i gjithi. Mes trishtimit dhe apelit për ndihmë, tregtarët në Shkodër bëjnë apel që shteti të mendojë për ato pasi me atë punë kanë mbajtur familjen.
Tregtarja 1: Aman mor. Ne jemi në rregull me çdo gjë, çfarë na kanë kërkuar, i kemi paguar. Kemi miliona, kemi shpirtin, kemi zemrën, çdo gjë e kemi këtu. Po shqyqr i madh Zoti që kemi shpëtuar me kokë. Shteti të mendojë për ne se e kemi bukën e gojës, një ditë pa punë këtu, një ditë pa bukë. Kemi familje, kemi njerëz të sëmurë nëpër shtëpia. Ne jemi të gjithë nevojtarë, jemi shtresë më e lodhur e shoqërisë. I kemi me djersë e me gjakun e shpirtin tonë, ju lutem vini dorën në zemër për këto familje këtu. Jam komplet e shokuar, nuk di çfarë të them. Jemi të gjitha me halle e probleme.
Tregtarja 2: Ne kemi tregun këtu. 22 vjet që punojmë këtu. Kemi rritur fëmijët me këtë punë. Nuk e di se si ndodhi. Nuk ka qenë asnjëherë me ndodhë kjo punë. I gjithë malli ka qenë brenda. Unë për vete i kam aty brenda 10 milionë. Na ka fikur. Ne jetojmë 6 veta vetëm me këtë punë, nuk kemi të ardhura të tjera 22 vjet. Tregu ka pasur roje. Nuk dimë nga ka ardhur zjarri se ne deri në 1 e gjysëm kemi punuar, kemi mbyllur mallin dhe kemi ikur të gjithë nëpër shtëpia. Roja ka qenë aty. SI ndodhi një Zot e di. Ne duam ndihmë nga shteti dhe për të na bërë një treg tjetër se ne jemi në rrugë të madhe.
Tregtarja 3: Kemi pasur bukën e gojës, vij nga Berdica këtu. Komplet malli është djegur sikur e kam marrë. E kemi bërë me 1 mijë halle, duke e blerë vendin me borxhe për të jetuar, tani na doli dhe kjo punë.
Tregtarja 4: Apeli më i madh është të na gjejnë punën, çdo gjë është shkrumbuar.
Një prononcim për mediat ka dhënë edhe zjarrfikësi, i cili ka punuar së bashku me strukturat e rjera për shuarjen e flakëve në tregun e rrobave, i cili ka thënë se nuk janë ndeshur më parë me një situatë të tillë në Shkodër.
Zjarrfikësi: Pasi ka ardhur njoftimi, kemi vënë në eficencë 7 mjete zjarrfikëse përsa i përket shuarjes së zjarrit në tregun e lagjes Perash. Në këtë operacion janë angazhuar të gjithë mjetet dhe po ashtu na kanë ardhur në ndihmë dhe nga qytete të tjera. Ka qenë një nga rastet më të vështira, zjarri ka qenë i menjëhershëm, kishte një vrull të paparë që nuk na kishte ndodhur ndonjëherë në zonën e Shkodrës.