Merret peng dhe ekzekutohet recepsionisti i hotelit në Dhërmi

Recepsionisti i një hoteli në Dhërmi është marrë peng dhe është ekzekutuar ditën e sotme, pak pas mesnate.

Mësohet se viktima është shtetasi me inicialet E.N, i moshës 31-vjeç nga Tirana, i cili kishte shkuar për të punuar si recepsionist në Dhërmi.

Policia thotë se është njoftuar nga pronarët e hotelit, pasi kishin humbur kontaktet me të.

Pas veprimeve të para hetimore, dyshohet se 31-vjeçari është qëlluar për vdekje me armë zjarri nga një 43-vjeçar nga Tepelena me banim në Angli. Policia nuk ka konfirmuar ende nëse ka arritur të gjejë trupin e pajetë.

Autori i dyshuar i ngjarjes mendohet se është arratisur drejt Greqisë.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 06.06.2024, Policia ka marrë njoftim se në Dhërmi, Himarë, shtetasi E. N., 31 vjeç, banues në Tiranë, punonjës në recepsionin e një hoteli në Dhërmi, Himarë, kishte humbur kontaktet me pronarët e hotelit.

Me marrjen e njoftimit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Himarë kanë ngritur një grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në hotel dhe kanë kryer një sërë veprimesh hetimore. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N. është qëlluar me armë zjarri, rreth orës 00:30, nga shtetasi G. Sh., 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli.

Nga veprimet e tjera hetimore rezulton se pas ngjarjes shtetasi G. Sh. është larguar drejt Greqisë.

Janë administruar në cilësinë e provës materiale, prova ligjore, si dhe janë shoqëruar deri në këto momente, për t’u pyetur në lidhje me këtë ngjarje, 29 shtetas.

Nga tërësia e veprimeve të deritanishme dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën intensivisht për gjetjen e shtetasit E. N., si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Në vijim, do të ketë njoftime të tjera për veprimet e kryera nga grupi hetimor.

 

Të Fundit