Arkivolet bosh mbushën një nga sheshet më të famshme të Milanos të premten në një protestë të organizuar nga sindikata e dytë më e madhe e Italisë për të rritur ndërgjegjësimin për vdekjet në vendin e punës.
Protestuesit vendosën 172 arkivole në Piazza La Scala. Ky është numri i punëtorëve që vdiqën në punë vitin e kaluar vetëm në rajonin verior të Lombardisë.
Sindikata e punëtorëve UIL tha se po kërkon që qeveria dhe bizneset të bëjnë më shumë për të mbrojtur punëtorët italianë, sipas Associated Press.
Një tabelë në qendër të sheshit tregonte numrin e punëtorëve që kanë vdekur në vendin e punës që nga viti 2018, duke arritur kulmin në 1,709 në vitin 2020, gjatë pandemisë Covid.
Vitin e kaluar 1041 persona humbën jetën në punë në Itali. Sipas agjencisë europiane të statistikave Eurostat, Italia renditet e teta në mesin e vendeve europiane për numrin më të madh të vdekjeve në punë.