Policia e kryeqytetit ka ndaluar një 48-vjerçar nga Kruja në lidhje me aktet e dhunshme gjatë dy protestave të fundit, përpara Bashkisë së Tiranës.
Sipas Policisë ai akuzohet për prishje të qetësisë publike, shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse dhe shkatërrim i pronës me zjarr.
Dy ditë më parë protestuesit e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Sali Berisha dhe Ilir Meta organizuan një protestë para Bashkisë së Tiranë. Ata hodhën shishe me benzinë, vezë dhe mollë para derës së këtij institucioni.
Njoftimi i Policisë Tiranë
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë dy protestave të fundit, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasin:
– S. B., 48 vjeç, banues në Krujë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.