Thoma Mastora u arrestua si autori i ngjarjes së rëndë të shënuar ditë më parë në në fshatin Bodrishtë të Dropull, ku një çift të moshuarish u gjetën të pajetë në oborrin e shtëpisë.
3 ditë pas ngjarjes policia arriti të zbardhte dhe të arrestonte autorin e dyshuar të vrasjes së Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe.
Kanë qenë ekzaminimet daktiloskopike dhe biologjike ato që kanë zbuluar veprimet e autorit. Autori ditën e ngjarjes kishte qenë në shtëpinë e të moshuarve, ku shkonte çdo ditë.
Një gotë rakie që 69-vjeçari kishte konsumuar në shtëpinë e të moshuarve, ka çuar edhe në identifikimin e autorit.
Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit, por edhe mosmarrëveshjeve që autori ka pasur me 84-vjeçarin prej disa kohësh.
Ditën që ka ndodhur ngjarja autori ka shkuar në shtëpinë e viktimave, në diskutim e sipër kanë nisur të debatojnë dhe konflikti ka degraduar në dhunë, ku 69-vjeçari i ka goditur të dy për vdekje.
Kujtojmë që çifti i të moshuarve Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe u gjetën të vdekur mëngjesin e datës 2 Maj në oborrin e shtëpisë së tyre, në fshatin Bodrishtë të Dropullit.
“Nga veprimet hetimore të kryera me ekspertët kriminalistë dhe mjeko- ligjorë u arrit në konkluzionin se viktimat ishin goditur me sende të forta dhe prerëse duke u shkaktuar vdekjen. Për thellimin e hetimit u fiksuan dhe u morën për ekzaminime të mëtejshme sende dhe mjete të cilat dyshohej se kishin lidhje me rrethanat e ngjarjes dhe që ekzaminimi i të cilave do të identifikonte autorin dhe dokumentonte me prova ligjore.
Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar në banesë u arrit të gjendej, fiksohej dhe sekuestrohej me cilësinë e provës materiale përveç provave të tjera dhe një vlerë e konsiderueshme rreth 5 milion lekë të reja që çifti i të moshuarave kishte në banesë. Për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve u shoqëruan, u dhe pyetën për rrethanat e hetimit 35 shtetas. U kryen intervista, verifikime, kontrolle, eskpertime, u bë eksperiment hetimor dhe të gjitha veprimet e tjera që grupi i posaçëm hetimor çmoi të nevojshme për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore ngjarjen. Nga hetimet intensive, inteligjenca policore, deklarimet e ndryshme dhe ekzaminimet biologjike të provave u arrit të sqarohet motivi i kësaj ngjarje dhe të dokumentohet me prova ligjore autori i kësaj ngjarje të rëndë me pasoja vrasjen e dyfishtë të shtetasve Kosta e Kleoniqi Ilia”, thuhet në njoftimin e policisë.