Rreth 60 mijë fermerë në shkallë vendi, kanë dorëzuar dosjet deri tani për të përfituar subvencione nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2024.
Lajmi vjen nga zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Arjan Jaupllari. Sipas tij “numri total i aplikimeve ka shkuar në 59 750 aplikime”.
“Deri në datën 19 prill, pritshmëria është që aplikimet mund të shkojë edhe deri në 70 mijë” shtoi Jaupllari. Pjesën më të madhe të aplikimeve e zë nafta”.
Zoti Japullari tha se risi këtë vit është aplikimi në grup. “222 aplikantë janë bashkuar në grup, numrin më të madh të aplikantëve të bashkuar në grup e shënojnë prodhuesit në serra. Kemi edhe aplikimet të sektorit të blegtorisë për tufën bazë, edhe për bimët mjekësore” tha zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Arjan Jaupllari. Ai tha se, “në fazën e dytë, do të bëhet verifikimi i dokumentacionit dhe në fazën e tretë do nisë verifikimi në terren për çdo aplikant”.
Qeveria ka parashikuar 3.3 miliardë lekë që do ti alokojë për mbështetjen e fermerëve. 1.2 miliardë prej tyre shkon për naftën dhe 2.1 të tjera për blegtorinë, bimët mjekësore dhe serrat.