Kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, është arrestuar me urdhër të SPAK nën akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, “falsifikimit të dokumentave” dhe “tjetërsimit të pronave”. Lajmin e ka bërë me dije gazetarja e Klan News, Glidona Daci, e cila ka mësuar se së bashku me Goron, janë arrestuar dhe 4 persona të tjerë, identiteti dhe roli i të cilëve akoma nuk bëhet i ditur.
Sipas të njëjtave burime, Jorgo Goro është arrestuar për tjetërsim të pronave në Himarë, çështje e kallëzuar më herët nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri. Më 17 Janar të këtij viti, Jorgo Goro dha shpjegime në SPAK dhe ka dëshmuar për rreth tre orë për kallëzimin e bërë nga Beleri. Pasi doli nga Prokuroria e Posaçme, Goro u tha gazetarëve se ishte paraqitur për të dhënë shpjegime, por pa dhënë të tjera detaje.
Në kallëzim, Fredi Beleri pretendon se Jorgo Goro, ka tjetërsuar një pronë në favor të të tretëve, nëpërmjet falsifikimit të dokumentave. Më pas, kjo pronë është blerë nga ish-deputeti Artan Gaçi. Toka prej 5500 metrash është vënë nën sekuestro nga SPAK. Akoma nuk ka një njoftim zyrtar nga ana e Prokurorisë së Posaçme lidhur me arrestimin e kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goros, ndërkohë që detaje të tjera priten në vijim.