Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e arrestit në burg për drejtorin e ARRSH-së Evis Berberi dhe dy biznesmenët Valter Begaj dhe Ervis Lami. Berberi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, akuza të cilat avokati i tij i cilëson terësisht të padrejta.
Në një prononcim për gazetarët jashtë ambienteve të SPAK, avokati Gentian Rumano u shpreh se “një çështje civile tregtare u kthye në penale”, duke theksuar se Berberi është i pafajshëm.
“Gjatë kësaj kohe keni përcjellë në mënyrë të vazhdueshme marrëdhënien juridiko civile tregtare mes palëve në proces e cila më pas nga SPAK është përcaktuar si çështje penale. Ne ishim kundër akuzave, janë akuza të cilat kërkojnë të shtrëngojnë gjykatën në dhënien e masës së sigurimit arrest me burg. Absolutisht nuk ka përfituar në mënyrë të padrejtë asnjë tender nga ana e Evis Berberit. Ju nuk e keni lexuar dosjen hetimore, sepse nuk jeni në dijeni fare. Këto vlera janë terësisht të pavërteta, abuzohet në mënyrë të papërshtatshme me vlerat ekonomike. Do sqarohen në ditët në vijim me analiza ekonomike të mirëfillta”, deklaroi ai.
Kujtojmë se 3 të akuzuarit u arrestuan më 13 Mars me urdhër të SPAK.