Pashk Gjoni, prej 24 vitesh mjek ortoped në Spitalin e Lezhës, njëherësh shef i Repartit të Ortopedisë në këtë institucion, denoncon drejtuesin e spitalit, Leon Kaza, i cili po kërkon, të transferojë Repartin e Ortopedisë në ambientet e Maternitetit të vjetër, që është në kushte skandaloze. Shkak i këtij transferimi është bërë rikonstruksioni total, që do t’i bëhet Spitalit të Lezhës.Ne pamë nga afër edhe ambientet tek Materniteti i Vjetër, gjendja e të cilit është e mjerueshme, pasi kjo godinë ka qenë e mbyllur për shkak të amortizimit prej dy vitesh.Transferimi i Ortopedisë ka sjellë edhe shpenzime nga taksat dhe Spitali i Lezhës ka tenderuar 6 milionë lekë për përshtatjen provizore deri në përfundim të të gjithë rikonstruksionit. Në vend nuk konstatohet asnjë tabelë, që të sinjalizojë shumën e shpenzuar dhe afatet e punës për përshtatjen e Maternitetit të vjetër.Zgjidhja, që doktor Pashk Gjoni propozon, pa shpenzuar, është brenda rrethimit të këtij spitali. Materniteti i ri, që është 20 m larg me Repartin e Ortopedisë, ka dhe dy salla moderne për operacion. Por drejtori i Spitalit, që është gjinekolog në Maternitetin e ri, nuk pranon, që deri në përfundim të rikonstruksionit total të spitalit, ky repart të kalojë në një nga katet e Maternitetit të ri.
Në fund të dhjetorit trasmetuam rastin e qytetarit Edmond Sorra, i cili tha, se prej tërmetit të vitit 2019 shtëpia iu dëmtua dhe duhet të rikonstruktohej. Ai mori një inxhinier për projektin dhe aplikimet në bashki për leje ndërtimi. Pasi futi në dorë 1800 euro dhe pasi leja e dytë u refuzua nga bashkia, arkitekti, Arbër Marini, u zhduk. Pas transmetimit tonë, zoti Sorra tregon, se arkitekti i ktheu paratë e tij.
Sa i dimë dhe i këndojmë këngët shqiptare? Ne ishim në rrugët dhe sheshet e Tiranës, për të nisur këngë, që duhet t’i vazhdonin qytetarët. Disa prej tyre i njohin e këndojnë, të tjerët e përcjellin situatën me batuta.