Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi kërkesën e presidentit të urdhrit të stomatologëve Nikoll Deda për heqjen e masës së pezullimit nga detyra, pasi akuzohet për shpërdorim detyre.
Pavarësisht se ndodhej në një proces gjyqësor i akuzuar për pengim të ekzekutimit të vendimeve në një tjetër procedim penal, Nikoll Deda vijonte të ndërmerrte veprime aktive duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së për interesat e tij. Në 2021 u denoncua për falsifikim në zgjedhjen e mandatit të dytë të tij, për të cilin u kallëzua.
Gjykata Administrative i vlerësoi antiligjore e antistatutore duke vendosur ngrirjen e gjitha strukturave të reja dhe lënë në fuqi ato të vjetra. Kryetari i Urdhrit për Tiranën, Almiro Gurakuqi që denonconte veprimet e Dedës, u shkarkua nga ky i fundit, por pas një procesi gjyqësor, e rifitoi përsëri pozicionin ku ai ishte zgjedhur.
Kundër vendimeve të Gjykatave, Deda vijonte të firmoste vendime qindra-mijëra eurosh, emëronte e shkarkonte punonjës, përfshirë anëtarë të familjes së tij, apo merrte kredi në vlerën prej 250.000 euro.
Nga hetimet, rezultoi se me veprimet/mosveprimet e tij shtetasi Nikoll Deda ka krijuar një ‘klimë posedimi privat’ duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonale qoftë për sa i përket administrimit të buxhetit të urdhrit të stomatologut në nivel qarku, qoftë përsa i përket pajisjes me licencë të stomatologeve për ushtrim individual profesioni’, thotë ndër të tjera Prokuroria e Tiranës.
Nikoll Deda ka qenë kandidat për deputet i Partisë Socialiste dhe është akuzuar shpesh edhe për dhënie të licencave false.