Një 41-vjeçare ka denoncuar në polici se djali i saj është dhunuar në shkollë.
Ajo ka shkuar në komisariatin nr. 3 në Tiranë ku ka thënë se dyshon se mësuesja kujdestare dhe drejtoresha e shkollës kanë ushtruar dhunë ndaj tij. Sipas saj, gjithçka ka ndodhur gjatë muajit Tetor.
“Në Komisariatin e Policisë Nr. 3 është paraqitur shtetasja I. A., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila dyshon se në muajin tetor, mësuesja kujdestare dhe drejtoresha e shkollës që frekuenton djali i saj i mitur, kanë ushtruar dhunë ndaj tij”, njoftoi policia.
Policia po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje.
Ky denoncim vjen pas rastit të rëndë të publikuar në “Stop” ku edukatore Majlinda Dehima dhunoi një vajzë 3-vjeçare dhe për pasojë kjo e fundit theu këmbën.
Sot ndaj edukatores u caktua “arrest me burg”.