Pas denoncimit të “Stop”, policia arreston mashtruesen e pasaportave bulgare

Policia e Tiranës ka arrestuar Lumturie Gjanën, mashtruesen e cila u denoncua në emisionin “Stop” se mori shumën  8850 Euro për t’i nxjerrë dy pasaporta bulgare.

Arrestimi ndodhi pas denoncimit të rastit në emisionin Stop në Tv Klan. Ku  56-vjeçarja Lumturie Gjana  premtoi se do ta pajiste me 2 pasaporta bulgare kallëzuesen dhe për këtë i ka  marrë 8850 Euro që prej muajit Janar 2023.

Stop transmetoi sonte këtë rast, ku denoncoi se si 56-vjeçarja bënte vazhdimisht premtime duke mashtruar gruan në fjalë.

Në bisedën e fundit mes tyre, Lumturie Gjana i kishte premtuar se do t’ja kthente paratë më 31 Tetor.

 

Njoftimi i policisë:

 

Tiranë

Përvetësoi 8850 euro nëpërmjet mashtrimit, vihet në pranga 56-vjeçarja.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin ndaluan shtetasen L. Gj., 56 vjeçe, banuese në Tiranë.

Kjo shtetase dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 8850 euro, me pretendimin se do të ndihmonte një shtetase 50-vjeçare, për plotësimin e dokumenteve të nevojshme, për pajisjen me pasaportë bullgare, për fëmijët e saj.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Rasti është trajtuar nga emisioni investigativ “Stop” në TV Klan, të cilin gjejmë rastin ta falënderojmë për bashkëpunimin. Duke përfituar nga mundësia e këtij komunikimi, ftojmë qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke garantuar reagimin e shpejtë e në kohë të strukturave të Policisë së Shtetit!

 

Të Fundit