36 vjeçari Jonis Mazllëmi, i cili plagosi me sëpatë tre ditë më parë në Pazarin e Korçës një grua 52 vjeçe dhe një 60 vjeçar është lënë në burg nga gjykata e Korçës. Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, prokuroria kërkoi masën arrest me burg për Mazllëmin, kërkesë e cila u pranua nga gjykata.
Avokati i mbrojtjes i caktuar kryesisht kërkoi si masë sigurimi atë të shtrimit të detyruar në spital, por kërkesa u rrëzua nga gjykata për shkak të mungesës së dokumentacionit që vërtetonte problemet me shëndetin mendor të 36 vjeçarit.
Deklarimet e Jonis Mazllëmit në gjykatë ishin produkt i halucinacioneve, sipas avokatit mbrojtës. Ai pretendonte se dy personat që plagosi do e helmonin dhe e përndiqnin për shkak të një pasurie të madhe që i kishte lënë gjyshi. 36 vjeçari, për shkak të fovisë nga helmimi, kishte 10 ditë pa ngrënë ushqim. Ndërkohë që Mazllëmi ishte përdorues i hershëm i drogës dhe prej dy vitesh nuk merrte mjekim as për varësinë nga droga, as për problemet me shëndetin mendor.