“Më i veçanti edhe në rajon”/ Zbulohet një tjetër mozaik i rrallë në Durrës, doli nga themelet e ndërtimit të një shkolle

  • Monumenteve unikale të Durrësit i shtohet tashmë edhe një mozaik i rrallë. Zbulimi është bërë teksa po hapeshin themelet për rindërtimin e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”.

Në mozaikun, i cili përbëhet nga gurë ngjyrë blu të errët dhe të bardhë, paraqiten figura gjeometrike dhe floreale. Ai i përket fundit të shekullit të I dhe fillimit të shekullit të II. Ky sit arkeologjik i zbuluar mendohet se është pjesë e një vile luksoze që ndodhej pranë amfiteatrit të Durrësit.

Deri tani janë zbuluar disa pjesë të këtij mozaiku që mendohet të ketë një sipërfaqe rreth 60 metër katror. Përveç mozaikut është zbuluar edhe një pjesë muri 3 metër e lartë në anën lindore si dhe disa objekte të tjera.

Sipas arkeologut prof. dr. Luan Përzhita i cili drejton punën për këtë zbulim arkeologjik ky është një mozaik mjaft i rrallë jo vetëm për vendin tonë por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Kryebashkiakia e Durrësit, Emirjana Sako thotë se arkeologët do të vijojnë punën deri në zbulimin e plotë të të gjithë objekteve arkeologjike në këtë zonë.

“Punimet në këtë mozaik janë kryer me një nivel mjaft të lartë profesional. Ky është një zbulim mjaft i rrallë arkeologjik që i shtohet trashëgimisë së jashtëzakonshme kulturore të qytetit tonë. Puna e arkeologëve do të vijojë deri në zbulimin e plotë të të gjithë objekteve arkeologjike në këtë zonë”, shkruan Sako.

Të Fundit