Shqipëria është duke u përballur me rritje të numrit të të rinjve që përdorin drogë, ndërkohë që besohet se është në rënie mosha e atyre që e konsumojnë.
Në Ministrinë e Brendshme thonë se ka një “alarm” për këtë dukuri. Me gjithë insistimin e REL-it, aty nuk ofrojnë statistika zyrtare për përdoruesit e drogave, por thonë se janë duke punuar për ashpërsimin e ligjeve që do t’i ndëshkonin shpërndarësit e tyre.
Nga shoqata “Aksion Plus”, e cila merret merret me sensibilizimin e popullatës kundër dukurive të këqija, thonë se në vendin me 2.8 milionë banorë ka rreth 70.000 përdorues droge, në krahasim me 50-60 mijë sa kanë qenë dy-tre vjet më parë.
Genci Muçollari, nga kjo organizatë, thotë se institucionet shtetërore nuk publikojnë më raporte për përdorimin e drogës, alkoolit e duhanit, ashtu siç kanë bërë deri para vitit 2014. Nga ajo kohë, thotë ai, këto të dhëna raportohen te ndërkombëtarët.
Ekspertët thonë se ka raste kur 10-vjeçarë kërkojnë ndihmë mjekësore, për shkak të përdorimit të drogave.
“Në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, numri i pacientëve të rinj përdorues droge po rritet. Kryesisht vijnë për asistencë gjatë fundjavave, ose kur ka festa, si për shembull mbrëmje mature”, thotë për Radion Evropa e Lirë toksikologia në këtë spital, Esmeralda Thoma.
“Ajo që vëmë re është se ekspozimi nis që nga mosha 14 vjeçe, por ka pasur raste që fëmijët e kanë nisur që 10 vjeç [përdorimin e drogës]. Në grup-moshën 10-15 vjeçe, droga më e përdorur është hashashi”, thotë ajo.
Sipas saj, përdorimi i heroinës – lloj më i rëndë i drogës – ka rënie, por ka përdorues kronikë që, siç thotë, tani janë në moshë 40 apo 50-vjeçare.
“Duke qenë se [përdorimi i hashashit] nuk jep shumë pasoja, familjarët nuk janë shumë të alarmuar për t’i sjellë fëmijët për asistencë. Zakonisht vijnë vetë duke pasur frikën e prindërve, të gjykimit nga njerëzit… nuk pranojnë të tregojnë, nuk e thonë problemin”, thotë Thoma.
Pse edhe të miturit po zgjedhin drogën?
Sociologët thonë se ka disa arsye përse të miturit po bëhen gjithnjë e më të prirë drejt drogës dhe alkoolit.
“Së pari, në botën e teknologjisë, ku të miturit dhe të rinjtë janë shumë të përfshirë, vihet re një rritje e ekspozimit të tyre ndaj promovimit të drogës, alkoolit, armëve, përmes klipeve, teksteve të këngëve… Nëse ata ekspozohen ndaj një bote që e cilësojnë të suksesshme apo ideale, ka një tendencë që ata t’i imitojnë veprimet e atyre që shohin”, thotë për Radion Evropa e Lirë sociologia Tana Aliaj.
Ajo shton se adoleshentët dhe të rinjtë e kanë shumë të rëndësishme që t’i përkasin grupit – pra të mos ndihen të përjashtuar.
“Mund të ketë shumë grupe që tashmë e kanë normë përdorimin e drogës dhe alkoolit, abuzimin me to”, thotë Aliaj.
Si tjetër faktor të rëndësishëm ajo përmend edhe problemet në familje.
“Individë që përballen me trauma në familje, me probleme të shëndetit mendor, ankthit, depresionit mund të jenë të cenueshëm ndaj përdorimit të drogës, ndaj është e nevojshme të ndërgjegjësohemi për rëndësinë që ka mbështetja për ta”, thotë sociologia Aliaj.
Reagimi duhet të jetë i shpejtë nga të gjithë aktorët, si nga prindërit, ashtu edhe nga mësimdhënësit, thotë ajo. Nëse shifrat do të shtohen, “do të rrisim një shoqëri të pashëndetshme”.
Drogat e reja në Shqipëri
Më 14 shtator, kur autoritetet në Shqipëri arrestuan 233 persona, që dyshohet se shpërndanin drogë në shkolla dhe lokale, ministri i Brendshëm i këtij vendi, Taulant Balla, foli për “lloje drogash të panjohura më parë për ekzistencën e tyre në Shqipëri”.
Në fotografitë që publikoi policia, vërehen ato që nga ekspertët njihen si “tullumbacja” – kapsulë që mbush me oksid azoti një tullumbace dhe konsumohet nga të rinjtë – apo drogë “xhelatinoze” – kanabis në formë karamelesh.
Por, ata që punojnë ngushtë me individë që kanë krijuar varësi nga droga, thonë se janë ndeshur me përdorimin e tyre së paku që dy-tre vjet.
“Teen Challenge Albania” është e vetmja qendër rehabilitimi për personat e varur nga droga në Shqipëri. Drejtuesi i saj, Orges Hysenaj, thotë se qendra ka një kapacitet të ulët prej dhjetë shtretërish, por kërkesat janë të shumta.
“Ne pranojmë vetëm persona mbi 18 vjeç, por ka pasur raste që kemi pranuar edhe poshtë kësaj moshe, pas kërkesës së prindërve dhe situatës së rënduar. Sa u përket drogave të reja, qoftë përmes punës në terren, qoftë me personat që rehabilitohen, drogën ‘tullumbace’ apo atë ‘xhelatinë’ i kemi ndeshur në dy-tre vjetët e fundit. Më të ekspozuarit ndaj tyre janë adoleshentët”, thotë Hysenaj për Radion Evropa e Lirë.
“Të gjithë ata që vijnë në qendër, tregojnë se kanë eksperimentuar me drogën që në moshën 12-14 vjeçe”, thekson ai.
Hysenaj thotë se duhen së paku 12-18 muaj për t’u rehabilituar dhe se kjo është një rrugë shumë e vështirë.
Nga disa aktivitetet që ka kryer së fundmi, ai thotë se ka një shqetësim të madh, pasi të miturit përdorues droge rrëfejnë se njohin fëmijë që konsumojnë drogë që në shkollën 9-vjeçare, apo janë shpërndarës të saj.
Paralajmërohen ndryshime ligjore
Qarkullimi i drogave të reja dhe shtimi i numrit të të rinjve përdorues droge kanë vënë në alarm autoritetet. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në seancën e fundit parlamentare më 21 shtator, foli për ndryshime ligjore që, siç tha, do t’i përcillen së shpejti Kuvendit.
“I kam kërkuar policisë t’i identifikojë të gjitha llojet e lëndëve narkotike apo edhe lëndë të tjera që në legjislacionin shqiptar nuk konsiderohen si lëndë narkotike, por që janë kthyer sot në një trend të rrezikshëm të përdorimit dhe krijimit të varësisë së fëmijëve”, tha Balla, duke paralajmëruar edhe ndryshime në Kodin Penal, me qëllim të ashpërsinit të ndëshkimeve për shpërndarësit e drogës.
Ministri i Brendshëm kërkoi votat e opozitës për të miratuar “paketën e sigurisë në shkolla” që, siç tha, do të sjellë ndryshime në disa ligje, por nuk specifikoi më shumë.
Nisma u bë publike që prej nisjes së vitit të ri shkollor, rreth dy javë më parë, por nuk dihet ende se çfarë përmban.
Balla tha se kjo paketë është domosdoshmëri, pasi të rinjve po u rrezikohet një e ardhme më e mirë.