Pesë persona kanë humbur jetën në mbrëmjen e së shtunës në Kosovë, si pasojë e aksidenteve të trafikut. Bëhet fjalë për tre aksidente, në Podujevë, Pejë e Prishtinë.
Në rastin e parë, aksidenti ka ndodhur në rrugën Llapnasellë-Graçanicë. Në aksidentin e ndodhur rreth orës 16:30 janë përfshirë dy vetura. Si pasojë e aksidentit u lënduan dy persona, ndërsa njëri prej tyre nuk ka arritur t’u bëjë ballë lëndimeve. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK, ka njoftuar Policia.
Në aksidentin e dytë, rreth orës 20:30 në rrugën që lidh fshatrat Sfeqël dhe Shajkovc të Podujevës kanë humbur jetën dy persona, si pasojë e vetaksidentit. Lëndime ka marrë edhe një person tjetër. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.
Rasti i tretë ka ndodhur në fshatin Ozdrim të Pejës. Sipas njoftimit të Policisë, një veturë ka goditur për vdekje dy këmbësorë, ndërsa një tjetër ka marrë lëndime trupore dhe po trajtohet në Spitalin e Pejës. Ky aksident ka ndodhur rreth orës 21:30. Policia po ashtu ka bërë të ditur se vozitësi i veturës së përfshirë në aksident, tashmë është ndaluar dhe gjendet në Stacionin e Policisë në Pejë.
Njësiti i trafikut i policisë po merret me rastet, ka thënë Policia.