Amerikani Leonard Mack, i dënuar për përdhunim në vitin 1976, është shpallur i pafajshëm pas 47 vitesh falë provave të reja të ADN-së.
Analizat kanë treguar se veterani i Vietnamit nuk është fajtor për abuzimin seksual të një vajze adoleshente në vitin 1975.
Agresori i vërtetë u identifikua dhe pranoi se ishte fajtor. Historia e burrit, tani 72 vjeç, mban rekordin për dënimin më të gjatë të gabuar në historinë amerikane.
“Tani e vërteta ka dalë në dritë dhe më në fund mund të marr frymë”, këto janë fjalët e Leonard Mack, i sapo liruar nga burgu.
Provat e reja të ADN-së, të paraqitura nga organizata jofitimprurëse Innocence Project në bashkëpunim me Njësinë e Rishikimit të Dënimeve të Prokurorit të Qarkut Westchester, e anuluan dënimin e tij.
Hetimet zbuluan një profil që gjeti përputhje pozitive në bazën e të dhënave lokale.
Autori i vërtetë u identifikua dhe pranoi se kishte përdhunuar vajzën në vitin 1975. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë i Nju Jorkut e përmbysi dënimin, duke i dhënë lirinë në ditëlindjen e tij të 72-të.
Leonard Mack ishte arrestuar sepse figura e tij përputhej me përshkrimin e autorit për sulmin e dy nxënëseve të shkollës së mesme më 22 maj 1975: një i ri me ngjyrë me një vathë dhe një kapele.
Agresori akuzohej se kishte lidhur dhe kafshuar dy vajzat nga Greenburgh, Nju Jork, dhe më pas kishte përdhunuar njërën prej tyre. Edhe pse veterani i luftës paraqiti dëshmitarë për të vërtetuar alibinë e tij në gjyq, ai u shpall fajtor për përdhunim dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit.
Kam humbur shtatë vjet e gjysmë të jetës sime në burg për një krim që nuk e kam kryer.
Tani më në fund drejtësia është vënë në vend dhe Mack do të jetë i lirë të jetojë në paqe me gruan e tij në shtëpinë e tyre të re në Karolinën e Jugut.