Ministrja e Arsimit, Evis Kushi thotë se me projektligjin për studentët e Mjekësisë janë dakord pjesa më e madhe e qytetarëve, studentëve si dhe ekspertëve.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Kushi thotë se projektligji për studentët e Mjekësisë që ata të qëndrojnë 5 vite për të punuar në Shqipëri pas diplomimit, është një sakrificë që duhet bërë për të gjithë shqiptarët.
Evis Kushi: Unë dua të ju sqaroj se ne jemi konsultuar gjatë me studentët dhe po, është e vërtetë se ka një pjesë të tyre që rezistojnë dhe nuk janë dakord me projektligjin, por ka një pjesë të madhe të studentëve që janë akutualisht në Universitetin e Mjekësisë, por edhe maturantë që janë dakord me projektligjin, ashtu sikurse dhe prindërit e tyre janë dakord dhe ashtu sikurse pjesa më e madhe e të gjithë qytetarëve. Gjatë kësaj periudhe, jemi konsultuar me mjekë e me ekspertë dhe gjithashtu kemi marrë mendimin e të gjithë opinionit publik, ku ju siguroj që pjesa më e madhe janë plotësisht dakord me këtë projektligj sepse bëhet fjalë për interesin më të lartë publik që është edhe detyrimi jonë kushtetues për të garantuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Ky është një ligj që vjen për të rritur më shumë performancën e sistemit tonë shëndetësor dhe së dyti për të parandaluar atë fenomen që nuk është vetëm shqiptar, por edhe për rajonin, largimi i mjekëve drejt vendeve që janë më të zhvilluara. Numri i mjekëve që largohen nga Shqipëria drejt vendeve të OECD-së është rritur për shkak se vendet e OCED-së kanë nevojë për mjekë. Ne emergjencën nuk e kemi sot, por mund të na vijë pas një viti e pas viteve të tjera. Nevoja për mjekë është vazhdimisht në rritje në vendet e zhvilluara. Ne duhet të veprojmë sot për të mos qenë vonë nesër e për të mos u gjendur para një situate ku mos t’i plotësojmë nevojat e qytetarëve. E mirëkuptoj shqetësimin e tyre, komunikojmë intensivisht me to. Ata do të kenë mbështetjen tonë, por kjo është një sakrificë që duhet të bëjmë për të gjithë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët.