Kreu i qeverisë, Edi Rama ka bërë një rrëfim ndryshe në një intervistë për revistën e njohur “Vogue Italia”. I zhveshur nga kostumi i kryeministrit Rama ka folur për të shkuarën, por edhe planet pas politikës.
Për këtë të fundit ai shprehet se është person që nuk i pëlqen të planifikojë shumë.
“Nuk kam kohë për të planifikuar për të ardhmen. Jeta më ka mësuar se ju mund të bëni planet tuaja, por më pas ajo shkon në një rrugë tjetër. Unë nuk kam një plan, por kam një imazh: do të doja të bëja diçka që bashkon aktivizmin tim qytetar, siç e quaj unë politikën, dhe artin.”
Përveçse politikan ai njihet gjerësisht edhe si piktor. Si i tillë u prezantua edhe në Athinë në Mars të këtij viti kur celi ekspozitën me veprat e tij artistike. I pyetur se sa ka mundur të integrojë artin në jeten politike Rama jep këtë përgjigje.
“Nuk do të thosha se e solla artin në politikë, por që vjen nga praktikimi i artit, kjo është pjesë e mënyrës sime për të parë botën dhe atë që na rrethon, pra edhe marrëdhëniet dhe përmbajtjen e jetës politike. Me kalimin e viteve ky ndikim është shfaqur pak a shumë dukshëm në varësi të momentit.”
Nuk harron të bëjë edhe një krahasim të liderëve botërorë me veprat e artit.
“Me siguri Giorgia Meloni do të ishte një vepër e futurizmit. Matteo Renzi i impresionizmit dhe Massimo D’Alema e imagjinoj atë një vepër arti të Rilindjes.”
Rama nuk i ka shpëtuar pyetjes së gazetares Franceska Boys për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Do të marrë kohën që i duhet, është një rrugë e vështirë, plot sfida dhe “detyra shtëpie” që duhet të bëjmë. Por është gjithashtu më e pabesueshmja me të cilën jemi përballur ndonjëherë është transferimi më i lartë i njohurive që mund të ekzistojë për një vend të ri që dëshiron të bëhet i madh.”
Gjatë intervistës Rama nuk ngurroi të përmendte edhe marrëdhënien e fortë me shtetin fqinj e cila është reflektuar edhe në urbanistikën e Tiranës. Falë bashkëpunimit me arkitektë të shquar italianë janë ndërtuar masterplane që po ndihmojnë kryeqytetin të evulojë.