Sot do të hapet testamenti i ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi. Mediat italiane raportojnë se, fëmijët kanë rënë dakord për këtë datë, rreth tre javë pas vdekjes së ish-kryeministrit. E gjithë familja Berlusconi është thirrur nga noteri, ku ndodhen dhe “dëshirat” e fundit të themeluesit të Mediaset dhe Forza Italia.
Testamenti i Berlusconit ndodhet në studio RLCD në via Mario Pagano në Milano në duart e Arrigo Roveda, një noter historik i Fininvest, i cili ka ndjekur shumë nga transaksionet e pasurive të paluajtshme të grupit.
Sipas renditjes së miliarderëve të Forbes 2023, Berlusconi ishte njeriu i tretë më i pasur në Itali me asete që arrinin në 6.9 miliardë dollarë të barabartë me pak më pak se 6.5 miliardë euro. Në deklaratën e fundit tatimore të bërë të ditur, ish-kryeministri kishte deklaruar në organet tatimore një shumë të tatueshme mbi 50 milionë euro.
Pjesa kryesore e trashëgimisë së Berlusconit është aksioni që ai kontrollon në Fininvest. Kompania mbajtëse e perandorisë zotëron 50% të MediaForEurope, emri i ri i Mediaset që kur selia e saj u zhvendos në Holandë.
Kujt i shkon menaxhimi i perandorisë? – Ligji përcakton që dy të tretat e pasurisë në çdo rast duhet të shpërndahen në mënyrë të barabartë midis pesë fëmijëve. Dy të tretat e 60.9 për qind të Fininvest që disponon Berlusconi është e barabartë me 40.6 për qind. Kjo 40.6 për qind e shpërndarë për pesë fëmijët do të thotë 8.12 për qind për çdo fëmijë. Për këtë arsye, një nga të panjohurat themelore të testamentit është fati i 20.3 për qind të aksioneve të Fininvest, një pjesë e së cilës Berlusconi ishte i lirë t’ia linte kujt të donte. Për të ruajtur ekuilibrin aktual të pushtetit në menaxhim, 20% e aksioneve duhet t’i caktohet pothuajse tërësisht Marina dhe Pier Silvio Berlusconit, shkruajnë mediat italiane. Nga ana tjetër, tre fëmijët e tjerë mund të jenë kompensuar me vila, tokë dhe vepra arti.
Përveç aksioneve të grupit, në fakt, pronat janë pjesë e trashëgimisë. Një pjesë e pasurive të paluajtshme mbahen në një kompani të quajtur Dolcedrago, me vlerë 500 milionë euro dhe 100 për qind në pronësi të Silvio Berlusconit. Pasuritë përfshijnë padyshim rezidencat historike të ish-kryeministrit, nga Vila e Arcore deri tek ajo e Macheri , të cilat kapin vlerën e të paktën 150 milionë eurove. Më pas janë vilat e pushimit në Porto Rotondo dhe Kanë me një vlerë të vlerësuar prej 500 milionë euro dhe vila në Antigua.
Pas gati tridhjetë vjetësh në krye të Milanit, Berlusconi është bërë pronar i futbollit Monza, president i së cilës është vëllai i tij Paolo, ndërsa drejtor menaxhues Adriano Galliani. Kompania ka parë rritje të vlerës së saj pasi falë investimeve të Berlusconit, ku ekipi është promovuar nga Seria C në Serie A në vetëm pak sezone. Ditët e fundit po qarkullon hipoteza e një transferimi të skuadrës tek familja.
Nga ana tjetër, diskursi i partisë është i ndryshëm: Forza Italia, në fakt, ka një borxh që shkon afër njëqind milionë euro. Prandaj do të jetë e nevojshme të kuptohet nëse Berlusconi ka lënë dispozita edhe për të në testamentin e tij të fundit.
Trashëgimtarët, përveç familjarëve më të afërt si fëmijët dhe vëllai Paolo Berlusconi, pritet një trashëgimi në testament edhe për Marta Fascina, partneren e fundit të ish-kryeministrit. Mediat italiane aludojnë se kavalieri i ka lënë një pasuri prej 100 milionë euro bashkëshortes së fundit plus mundësinë për të jetuar në vilën e Arcore. Por dinastia përfshin gjithashtu 16 nipër e mbesa dhe një stërmbesë.