Një operacion masiv për të goditur kultivimin e bimëve narkotike është zhvilluar në Skrapar, Elbasan, Krujë dhe Lezhë. Në këtë aksion ku morën pjesë 300 forca policore dhe 9 dronë, u zbuluan dhe u asgjësuan 1777 bimë kanabisi. Si autorë të dyshuar të kultivimit të kanabisit janë identifikuar 4 persona, të cilët janë shpallur në kërkim.
Në Skrapar, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tomorri”, në një terren të hapur rishtazi, në një zonë të pyllëzuar dhe të thellë malore, në territorin e njësisë administrative Gjerbës, u gjetën të kultivuara në kubikë, në një serë, si dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 1000 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis. Si rezultat i veprimeve hetimore për këtë rast, u identifikua dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve narkotike, shtetasi O. Gj., 39 vjeç, banues në fshatin Bërsak, Skrapar. Vijon puna për kapjen e 39-vjeçarit.
Në Elbasan, në kuadër të 2 operacioneve antikanabis të koduara “Krasta” dhe “Çereshta”, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 252 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Krasta”, në një zonë pyjore, në fshatin Seltë, njësia administrative Zavalinë, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 160 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Si rezultat i veprimeve hetimore për këtë rast, u identifikua dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve narkotike, shtetasi A. D., 53 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit Y. Ç., 56 vjeç, F. L., 45 vjeç (me detyrë inspektorë pyjesh në zonat e Gjinarit dhe Zavalinës) dhe K. B., 55 vjeç (kryetari i fshatit Seltë). Vijon puna për kapjen e 53-vjeçarit. Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të operacionit “Çereshta”, të zhvilluar më 18 qershor 2023, nga Policia e Librazhdit, ditën e djeshme u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 92 bimë të tjera të dyshuara narkotike.
Në total nga ky operacion janë asgjësuar 672 bimë dhe fidanë narkotikë kanabis. Autorë të kultivimit të këtyre bimëve dhe fidanëve, dyshohet të jenë shtetasit e shpallur në kërkim S. D. dhe K. D. Gjithashtu, gjatë kontrolleve përreth territorit ku u gjetën bimët narkotike, në një tendë kampingu, të dyshuar të përshtatur për qëndrim, nga shtetasit S. D. dhe K. D., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike, e ndarë në 2 qese plastike. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Në Krujë, në kuadër të megaoperacioni policor të koduar “Territor i pastër”, në një zonë pyjore, në fshatin Cudhi Kamp, njësia administrative Cudhi, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 195 bimë të dyshuara narkotike kanabis. Vijojnë veprimet hetimore për përcaktimin e autorësisë së këtij rasti kultivimi. Në Lezhë, në kuadër të megaoperacioni policor të koduar “Imazhi”, në një zonë pyjore, në fshatin Malecaj, njësia administrative Balldre, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 330 bimë të dyshuara narkotike kanabis. Vijojnë veprimet hetimore për përcaktimin e autorësisë së këtij rasti kultivimi. Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.