Tenisti serb Novak Gjokovic i ka dhënë mbështetjen e tij popullatës serbe në Veri të Kosovës, ku tensionet ndëretnike janë kthyer në nivele të larta me përleshjet mes trupave të KFOR-it dhe demonstruesve serbë që kundërshtojnë kryetarët e rinj të shqiptarëve etnikë të zgjedhur në katër komunat më të mëdha në Veri me shumicë serbe.
“Kosova është zemra e Serbisë. Stop dhunës!”, ka shkruar kampioni serb në fund të ndeshjes që fitoi dje ndaj amerikanit Alexander Kovacevic në raundin e parë në Roland Garros.
Si serb, më dhemb shumë ajo që po ndodh në Kosovë. Më e pakta që mund të bëj është kjo, ndihem përgjegjës si personazh publik dhe bir i një njeriu që ka lindur në Kosovë.
Ndjej nevojën për të treguar mbështetje për të gjithë Serbinë. Nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja për popullin serb dhe Kosovën, por është shumë e nevojshme të tregohet mbështetje.
Kampioni nuk është i ri në publikime të ngjashme. Në vitin 2020, pas fitores së Kupës ATP, qarkulloi një video e Gjokoviçit duke kënduar një marsh ushtarak nacionalist së bashku me shokët e tij serbë. Asokohe episodin e komentoi ambasadori kosovar në Bullgari, Edor Cana, duke e cilësuar ekipin serb “primitiv dhe shovinist”.
Në të njëjtin vit, pas një udhëtimi në Bosnje me familjen e tij, Gjokoviç iu dha Urdhri i Republikës Srpska, pjesa serbe e Bosnjës.