Ryshfet 1 milion lekë për pensionin e invalidit, arrestohet punonjësi i spitalit

Një 37-vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit pasi i mori para një çifti bashkëshortësh, me pretendimin se do t’iu siguronte në kundërshtim me ligjin, pension të invaliditetit.

37-vjeçari, me detyrë teknik laboratori në spitalin e Elbasanit, i mori çiftit në fjalë një shumë prej 1 milionë lekësh të vjetra me pretendimin se do t’iu siguronte përfitimin e pensionit të invalidit.

Materialet procedurale në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”

“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të dy bashkëshortëve, për një rast korrupsioni, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bonusi”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:

-E. P., 37 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë teknik laboratori në Spitalin Rajonal Elbasan.

Nga veprimet hetimore paraprake, dyshohet se 37-vjeçari iu ka marrë këtyre shtetasve (bashkëshortë), shumën 100 000 lekë, me pretendimin se do t’iu siguronte në kundërshtim me ligjin, dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e pensionit të invaliditetit (KMCAP)”, njofton policia.

 

Të Fundit