Fredi Beleri, i zgjedhur kryebashkiak i Himarës, do të vijojë të qëndrojë në qeli, pas vendimit të GJKKO për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Në burg do të mbetet edhe Pandeli Kokaveshi, bashkëpunëtor i Belerit.
Fredi Beleri akuzohet se ka blerë vota në Himarë gjatë fushatës elektorale dhe u arrestua dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Avokati i Belerit deklaroi përpara mediave se do ta apelojnë vendimin.
Çështja Beleri ka sjellë përplasje mes autoriteteve shqiptare dhe greke. Këta të fundit kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur lirimin e tij me pretendimi se arrestimi ka patur motive politike.
Gjatë ditës së sotme, është zhvilluar një takim në Bruksel, mes Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias dhe ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ku është diskutuar edhe çështja Beleri.
Autoritetet shqiptare kanë bërë thirrje që drejtësia të veprojë sipas provave dhe ligjit, duke mos e trajtuar Belerin si një rast të veçantë apo të privilegjuar.
“Theksova qartazi se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është as çështje e të Drejtave të Njeriut, as politike, e jo më një çështje dypalëshe. Z. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin. Blerja e votës është një shkelje e rëndë e ligjit tonë dhe çështja e tij tashmë është në gjykatë. E vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë atë”, deklaroi Xhaçka pas takimit me Dendias.