Fredi Bejleri është transferuar ditën e djeshme nga paraburgimi i Vlorës për në paraburgimin 313 në Tiranë. Sot pritet të zhvillohet në GJKKO seanca e rivlerësimit të masës së sigurisë “Arrest me burg”, e dhënë nga gjykata e Vlorës një ditë përpara zgjedhjeve lokale. Ndërsa i arrestuari tjetër Pandeli Kokaveshi vazhdon të qëndrojë në spital pas problemeve me zemrën.
Gjyqtare e çështjes në seancën që do të mbahet në GJKKO, në orën 13:00, është Atalanta Zeqiri, ndërsa do të përfaqësojë organin e akuzës (SPAK), Dorina Bejko.
Beleri u arrestua gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes, 12 maj, dy ditë përpara zgjedhjeve, nën dyshimet si i përfshirë në shit-blerjen e votave.
Beleri ndodhej në ambientet e restorantit të tij në Himarë kur u shoqërua ne polici.
Ai u shoqërua nga efektivë të prokurorise Vlorë, në drejtim të komisariatit dhe më pas u transferua në komisariatin e Vlorës.
Bashkë me Belerin u shoqëruan dhe dy persona të tjerë, Pandeli Kokaveshi, pjesë e shtabit elektoral të Fredi Belerit dhe avokati i tij. Kokaveshi vuante nga problemet e zemrës, dhe disa orë pas shoqërimit të tij në polici është thirrur ambulanca që e ka marrë dhe e ka transferuar drejt spitalit pasi ka shfaqur probleme.
Pas tre orësh nga shoqërimi u lirua avokati personal i Fredi Belerit, i cili u shoqërua gjithashtu në prokurori.
Në fletën e arrestit të lëshuar ndaj Belerit theksohet se ai u ndalua në flagrancë duke blerë vota, ndërkohë që në dosjen e prokurorisë thuhet se blerja e votave është kryer nga Kokaveshi në ambientet e tualetit të një lokali në mesditë dhe jo në momentin e arrestimit.