Një 42-vjeçar është arretuar nga policia e Lushnjës pasi nuk zbatoi urdhrin e efektivëve për të ndaluar automjetin për konroll.
42-vjeçari u largua me shpejtësi duke rrezikuar dhe jetën e punonjësve të policisë që e urdhëruan të ndalonte.
Ai u arrestua pas ndjekjes së policisë dhe rezultoi se ishte në gjendje të dehur. Materialet në ngarkim të tij u referuan në prokurori për veprime të mëtejshme.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin V. K., 42 vjeç, banues në Peqin, pasi gjatë natës, në vendin e quajtur “Rotondo e Çermës”, duke drejtuar automjetin, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi, duke u rrezikuar atyre jetën.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale dhe ndjekjes nga shërbimet e Policisë, 42-vjeçari është kapur në fshatin Thanasaj, Lushnjë. Pas testimit me aparatin alkool-testues, rezultoi se shtetasi V. K. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur”, njofton policia.