Nga burgu në Prokurori, Alda Klosi dhe Rozeta Dobi ballafaqohen sot me njëra-tjetrën

Alda Klosi dhe Rozeta Dobi pritet të ballafaqohen sot në Prokurori, për deklaratat që kanë dhënë lidhur me shumën e parave të gjetura në banesën e pastrueses.

Mësohet se ish-zyrtarja e kryeministrisë dhe pastruesja e saj, Rozeta Dobi, janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Prokurori.

Kjo është hera e parë që pas rrëfimit të sanitares që implikonte ish-zyrtaren e lartë në pastrim parash dhe mos deklarim pasurie që ato dalin para njëra-tjetrës.

Mbi Alda Klosin rëndojnë tre akuza, pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe deklarim i rremë në hetuesi.

Ish-zyrtarja e Kryeministrisë, Alda Klosi e cila po mbahet në paraburgim nën dyshimet për pastrim parash, fshehje pasurie dhe deklarim të rremë, ka folur për oficerët e policisë gjyqësore në ambientet e burgut 325 në Ali Demi pas arrestimit.

Ish-zyrtarja e lartë e Kryeministrisë ka vendosur t’i qëndrojë besnike versionit të saj të mëhershëm, se në shtëpinë e saj janë vjedhur 120 mijë euro 30 mijë dollarë dhe disa bizhuteri, ndërsa dyshimet thotë se i kishte të pastruesja Rozeta Dobi.

Ajo iu tha hetuesve se paratë janë të xhaxhait të saj, përkundër kontradiktave që ka me rrëfimin e të vëllait. Ndërsa, këmbëngul se shuma prej 404 mijë eurosh dhe 8500 dollarë që u zbuluan në tubin e aspirimit në shtëpinë e pastrueses nuk i përket asaj, pasi nuk ka disponuar asnjëherë shuma të tilla.

Por, ndërkohë është pastruesja e cila rrëfen se paratë janë të ish zyrtares së lartë dhe se ja la ti ruante e në bashkëpunim me të inskenuan vjedhjen, me qëllim që Alda Klosi të akuzonte ish burrin e saj me të cilin kishte përplasje.

Dëshmitë e dy grave janë tërësisht të kundërta ndaj prokuroria ka thelluar hetimet, me qëllim që të mund të provojë se paratë i përkasin ish drejtoreshës së koncesioneve, si dhe të sqarojë rolin e pastrueses rozeta Dobi të djalit të saj, Havierit.

Nënë e bir vijojnë të mbahen në paraburgim nën dyshimet për akuzën e vjedhjes, ndërsa ish zyrtarja Klosi pritet të përballet të hënën me gjykatën e Apelit të Juridiksionit të përgjithshëm, ku synon një masë më te lehtë sigurie.

Të Fundit