Në muajin prill rriten pensionet, përfitojnë 673 mijë të moshuar, zbardhen detaje nga fondi special, ndryshon rregulli për indeksimin

Në një kohë që qeveria po përgatitet për indeksimin e pensioneve, ekspertët kërkojnë që rritja të bëhet duke marrë në referencë inflacionin tek ushqimet dhe jo atë të përgjithshmin. Ndërkohë, Ministria e Financave parashikon shpërndarjen e një fondi special në vlerën e 2.2 miliardë lekëve që do të shkojë për indeksimin e pensioneve dhe 3.53 miliardë lekë. Nga muaji prill, rreth 673 mijë të moshuar do të marrin ca para më tepër në pagesën mujore të pensionit. Qeveria parashikon shpërndarjen e një fondi special në vlerën e 2.2 miliardë lekëve që do të shkojë për indeksimin e pensioneve dhe 3.53 miliardë lekë të tjera për bonusin e fundvitit. Klajdi Bregu, ekspert për ekonominë u shpreh se kur flitet për indeksimin e pensioneve duhet të kemi parasysh se pensionistët janë të fokusuar te ushqimet dhe pijet joalkoolike. Sipas tij, kjo kategori ka pasur edhe rritjen më të madhe të inflacionit.

“Kur flasim për indeksimin e pensioneve duhet të kemi parasysh se pensionistët janë të fokusuar te ushqimet dhe pijet joalkoolike. Kjo kategori ka pasur edhe rritjen më të madhe të inflacionit”, deklaroi Bregu pak ditë më parë. Si rregull, rritja e pensioneve bëhet në raport me normën mesatare të inflacionit të vitit paraardhës që në këtë rast ishte 6.7 për qind. Por ekspertët kërkojnë që indeksimi të kryhet duke marrë në referencë inflacionin tek ushqimet dhe pijet joalkoolike që ishte rreth 12 për qind për 2022-shin. Nisur nga paralajmërimet se kriza e çmimeve mund të mos e ketë prekur ende kulmin, qeveria miratoi edhe ndryshimin që lejon indeksimin e pensioneve më shumë se një herë brenda një viti. Sipas programit afatmesëm buxhetor të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, fondet për pagesat e pensioneve pritet të rriten në 3 vitet e ardhme duke kulmuar me 3.8 miliardë lekë në 2026-n.

Qeveria paralajmëroi një tjetër bonus për pensionistët

Ndërkohë, pak kohë më parë, kryeministri Edi Rama ka premtuar dje një tjetër bonus për pensionistët në vendin tonë. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkruan se me marrjen e këstit të parë të taksës së jashtëzakonshme mbi eksportuesit e energjisë në muajin prill, do të programohet edhe bonusi i radhës për pensionistët. Sipas Ramës, aktualisht të gjithë pensionistët po marrin bonusin e Pakos së Madhe 8 miliardë lekëshe. “Të gjithë pensionistët po marrin këto ditë sipas premtimit bonusin e Pakos së Madhe dhe urojmë ta kenë sa më të mbarë e me shëndet të plotë, vitin që sapo ka nisur. Me marrjen e këstit të parë të taksës së jashtëzakonshme mbi eksportuesit e energjisë në muajin prill, do të programojmë një tjetër bonus për pensionistët, që barra e inflacioni i luftës për ta të vazhdojë të jetë sa më pak e ndjeshme”, shkruan Rama.

Ky i fundit edhe pak ditë më parë deklaroi se, taksa e jashtëzakonshme që do t’u merret 3 prodhuesve të mëdhenj të energjisë do të kthehet direkt në mbështetje financiare për njerëzit më në nevojë. “Ne do të bëjmë çmos që të shtojmë të ardhurat për pensionistët në radhë të parë. Për këtë arsye me gjithë vështirësinë buxhetore do t’i japim një paketë mbështetëse të gjithë pensionistëve. Për këtë arsye kemi vendosur që 3 prodhuesve të mëdhenj të energjisë, që fitojnë në mënyrë marramendëse për shkak që iu ra fati që u rrit çmimi t’iu vëmë një taksë të jashtëzakonshme. T’iu marrim një pjesë të atij fitimi dhe përsëri atë në radhë të parë do t’ia japim atyre që janë më në nevojë. Do ia shpërndajmë direkt, nuk do e çojmë as për rrugë, as për ura, pro do ta kthejmë direkt në mbështetje financiare direkte, për të përballuar inflacionin e luftës”, nënvizoi Rama.

Të Fundit