Rindizet “lufta” në Partinë Demokratike për vulën e partisë. E premtja e javës që vjen do të jetë vendimtare dhe të gjithë janë sy e veshë te Gjykata e Apelit, e cila pritet të ndajë “shapin nga sheqeri” se kush do të drejtojë partinë. Kreu i grupit parlamentar të PD zyrtare, Enkelejd Alibeaj i ka dërguar dje një tjetër mesazh Berishës, i cili po ushtron presion të jashtëzakonshëm ndaj gjykatës. Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar këtë të enjte një takim me disa degë të Partisë Demokratike në Tiranë.
Ai iu drejtua grupit të Sali Berishës se e drejta do të fitojë dhe shtoi se nga ana juridike, ata nuk kishin të drejtë dhe prova që të shkonin në gjykatë.
“Çdo të bëhet në datën 3? E drejta do të fitojë, ligji do të fitojë, kontributi do të fitojë, historia do të fitojë, e ardhmja e Partisë Demokratike do të fitojë. Ndaj, qetësohuni sepse ajo që vjen pas datës 3, në çdo rast do të jetë një barrë më e madhe për demokratët, një peshë përgjegjësie më e madhe sesa sot për demokratët, për shqiptarët dhe për Shqipërinë”, deklaroi ai.
Më tej Alibeaj ja bëri të qartë Berishës se korrupsioni nuk pi ujë. Sipas Alibeajt, Agron Zhukri miratoi statutin e Berishës nën presione dhe ndërhyrjeve korruptive, por u duk i sigurt se në Apel nuk vlejnë më ryshfetet.
“Kjo është ajo e cila realisht më preokupon mua sesa teknikalitetet e vendimit. Doni për vendimin? As kanë të drejtë të shkonin ata në gjykatë, as kanë prova ata të shkonin në gjykatë. Me një gjykatës, i cili, të gjithë e dimë, i korruptuar politikisht dhe në presionin e të gjithë atyre elementëve, edhe financiare dha atë lloj vendimi”, nënvizoi Alibeaj.
Gjyqi për vulën mbahet më 3 mars ora 11.00, ndërkohë vetëm një orë më pas, Berisha do të zbresë në shesh. Pra, në varësi të vendimit të gjykatës do të varet edhe ecuria e protestës.