Edhe pse ishte me precedentë të mëhershëm, u desh një sinjal i ardhur te gazetarët e një emisioni investigativ që të hidhte dritë mbi një akt të tmerrshëm, ku një prind i ri donte të shiste 5 mijë euro fëmijën e tij të palindur ende.
Embrah Nuredini është babai nga Elbasani dhe me banim në Durrës, i cili u arrestua pasi u filmua duke negociuar për të shitur foshnjën që do t’u lindte kundrejt pagesës prej 5 mijë eurosh. Prokurorja Anila Bebeçi kërkoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Nuredinin.
Ndërkohë, ky i fundit mohoi akuzën e bërë, duke thënë se nuk do të shiste fëmijën e tij pasi ai ka dhe 5 fëmijë të tjerë për të cilët kujdeset.
Para trupës gjykuese, Nuredini u paraqit pa avokat mbrojtës pasi situata e tij ekonomiko-financiare nuk ia mundëson. Edhe avokatja e caktuar kryesisht mbrojti klientin e saj duke deklaruar se vepra penale nuk është kryer dhe kërkoi arrest shtëpie, bazuar dhe në rolin e Nuredinit si i vetmi që siguron ushqim për familjen përmes mbledhjes së kanoçeve.
“Dua të shkoj te fëmijët dhe nuk e di si e kanë bërë këtë. Atë ditë kam qenë i pirë. Unë jam i vetmi që e mbaj familjen me ushqim. Mbledh kanoçe. I dua fëmijët”, tha para gjykatës babai që vuri në shitje fëmijën e tij.
Gjyqtari theksoi se ligji parashikon burgim nga 10-20 vjet për “Trafikim të të miturve”, pasi vepra penale ka rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ndaj e la në masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Teksa Nuredini është arrestuar, nën hetim është edhe gruaja e tij shtatzënë, e cila ishte në dijeni të asaj çfarë do të bënte bashkëshorti me fëmijën që ende nuk ka ardhur në jetë.