E pyetur në lidhje me inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë se ato janë dy raste të ndryshme.
“Qeveria e ka fokusin te trajtimi i mbetjeve, ky ka qenë dhe projekti fillestar përsa i përket inceneratorëve. Rasti i Fierit dhe Elbasanit janë të ndryshme”, u shpreh Balluku.
Për inceneratorin e Elbasanit, Balluku u shpreh se është funksional dhe nën menaxhimin e bashkisë së atij qyteti.
“Elbasani ka një incenerator funksional i cili ka prodhuar dhe energji dhe ky është fakt që mund ta gjeni. Po pas 3 vitesh funksionim inceneratori i Elbasanit si çdo industri, fabrikë apo teknologji ka kohën e vet të rimonteve, po ndryshohen pompat në dijeninë time. Siç e dini tashmë ky incinerator menaxhohet nga bashkia e Elbasanit sipas një kontrate qeraje me Agjencinë e Sekuestros, është thjesht çështje teknike dhe drejtohuni bashkisë se besoj do jenë transparentë”, tha Balluku.
Ndërsa për Inceneratorin e Fierit ajo u shpreh se është nën menaxhimin e Agjencisë së Sekuestrove dhe po punohet për rindërtimin e tij.
“Agjencia e Sekuestros e ka marrë nën menaxhim atë të Fierit, kur është marrë nën sekuestro s’ka qenë i përfunduar po vazhdon procesi për ndërtimin e Inceneratorit, kështuqë mund të merrni të dhëna nga kjo agjenci”, përfundoi ministrja.