Ish-kryeministri 52-vjeçar, sërish kryebashkiak i Le Havre, Edouard Philippe ka qenë prej muajsh në krye të listës së personaliteteve politike të preferuara franceze (përfshirë sondazhin e fundit të Elabe / Les Echos në fillim të shkurtit), dhe shumë mendojnë se ai mund të jetë ai që do të kandidojë për Elysée në 2027 në vend të Emmanuel Macron, i cili ka arritur kufirin e dy mandateve. Por për disa javë, pamja fizike e Philippe ka shkaktuar shqetësime, dhe gjithashtu disa komente mizore nga kundërshtarët politikë: është e vështirë të synosh lart kur imazhi i dikujt përkeqësohet në mënyrë dramatike në një kohë të shkurtër dhe për arsye misterioze. Kështu Philippe preferoi të thyente heshtjen që kishte zgjatur shumë dhe dha një intervistë televizive për kanalin e lajmeve BFM: për të mbrojtur reformën e pensioneve të kërkuar nga Presidenti Macron, aleat i tij në Parlament dhe gjithashtu për të shpjeguar pamjen e tij. “Ja çfarë ndodh me mua – tha Philippe duke hequr syzet – më kanë rënë vetullat dhe nuk mendoj se do të kthehen. Pastaj është mjekra e bardhë, edhe ajo po bie pak, si flokët”. Intervistuesi shton “dhe mustaqet…” dhe ish-kryeministri konfirmon “po, edhe mustaqet janë zhdukur dhe nuk mendoj se do të rriten më, do të habitesha. Unë vuaj nga alopecia, një sëmundje që shfaqet zakonisht kur jeni shumë i ri ose shumë i moshuar dhe konsiston në humbjen e flokëve. Por nuk është as e dhimbshme, as e rrezikshme, as ngjitëse, as serioze.
Philippe ishte pothuajse i panjohur në shkallë kombëtare kur Emmanuel Macron i ofroi atij vendin e kryeministrit pas fitores së tij të parë presidenciale në 2017. Pas një praktike të gjatë nën hijen e golistit Alain Juppé, Philippe u shfaq para publikut të gjerë si një politikan kompetent, brilant, ironik dhe vetë-përçmues, i aftë për të luajtur me imazhin e tij të këndshëm të një njeriu elegant dhe entuziast boksi. Në momentet më të vështira të pandemisë, ai mundi të gjente fjalët e duhura, së bashku me ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë, Olivier Veran, për t’iu drejtuar francezëve gjatë konferencave televizive shumë të sakta, të përpikta dhe të ndjekura mirë. Kur Macron e zëvendësoi atë me Jean Castex në korrik 2020, shumë dyshuan se presidenti donte të hiqte nga qendra e vëmendjes një politikan që po bëhej shumë popullor dhe për këtë arsye pngesë për lidershipin e tij.
Rrugëtimi politik i Edouard Philippe u shoqërua me evolucione të dukshme në pamje: fillimisht një njollë e bardhë në mjekrën e tij të zezë, atëherë kur ai ishte ende kryeministër, që u shpjegua si vitiligo; pastaj njolla u përhap në të gjithë mjekrën, e cila u bë tërësisht e bardhë; pastaj rënia progresive e flokëve dhe tani vetullat.
Midis 1981 dhe 1995, François Mitterrand i kaloi dy periudhat e tij shtatëvjeçare në Elysee duke ua fshehur francezëve faktin se vuante nga kanceri, edhe kur në fazat e fundit dukej i sprovuar dhe i lodhur. Kohët kanë ndryshuar shumë dhe një njeri si Edouard Philippe nuk mund t’i mbante synimet e tij politike pa dhënë shpjegime. “Gjithmonë do të jetë dikush pak i mjerë i gatshëm të thotë se duhet të ketë diçka më serioze poshtë – tha Philippe gjatë intervistës – por nuk është asgjë serioze. Më thanë se ndoshta është stresi. A kam një jetë stresuese? Po, e konfirmoj. Unë kam qenë kryeministër, por ndoshta kjo do të më kishte ndodhur edhe nëse do të kisha qëndruar në Le Havre për ato tre vjet. Në çdo rast, ka shumë njerëz në Francë që përjetojnë situata shumë, shumë, shumë më të vështira”.
Ish-kryeministri dhe themeluesi i partisë Horizons ka shfrytëzuar rastin, siç u ndodh tashmë shumë personazheve të njohur, për t’i dhënë një vlerë shoqërore dhe kolektive gjestit të tij, duke ftuar të rinjtë e prekur nga vitiligo dhe alopecia si ai të mos shqetësohen shumë për sytë e të tjerëve: “Të humbasësh flokët në moshën 52 vjeçare nuk është problem. Por kur i ndodh 15 vjeç, një djali apo vajze adoleshente, sigurisht që nuk është e këndshme. Është e lehtë për mua, kam qenë me fat. Por kujtdo që vuan nga alopecia mund t’i them se esenciale nuk është se si të shikojnë, por si je”. Dhe kështu, pas këtij sqarimi, Edouard Philippe e trajtoi thelbin, duke dhënë më në fund mbështetjen e tij për reformën e diskutueshme të pensioneve, pas një heshtjeje të gjatë që nuk u pëlqeu makronistëve. Për sa i përket të ardhmes, në funksion të vitit 2027, Philippe refuzon të shfaqet i dobësuar nga sëmundja. “Kam humbur vetullat, mirë, por kjo nuk do të më pengojë të bëj më të mirën, të jem jashtëzakonisht ambicioz për qytetin ku jam kryebashkiak, Le Havre, dhe të jem jashtëzakonisht ambicioz për vendin tim”.
/ Corriere /