Pas transmetimit të emisionit “Stop” Prokuroria e Tiranës ka ndaluar njërin prej inspektorëve të Agjensisë së Barnave Luan Daci dhe ka shpallur në kërkim në kolegun e tij Armando Luka. Gjithashtu prokuroria ka regjistruar procedimin penal për “Shpërdorim detyre” për dy inspektorët, që morën 600 mijë lekë nga një farmacist, duke e shantazhuar, se në të kundërt, do ta gjobisnin me 4 milionë lekë.Organi i hetimit pranon, se inspektorët në fjalë ndodheshin nën vëzhgim, por u desh regjistrimi nga emisioni “Stop”, që ndaj tyre të veprohej.
Por ditën e sotme, në prangat e policisë së Tiranës kanë ranë edhe përgjegjësja dhe specialisti i Agjencisë së Barnave.
Operacioni policor i koduar “Farmacisti”, bëri të mundur që pas hekurave përfunduan Besiana Xhelilaj dhe Luan Çiçi.
Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” tregoi mënyrën sesi të lidhur me njëri-tjetrin inspektorët merrnin ryshfet.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Farmacisti”, ka rezultuar se këta shtetas, në cilësinë e punonjësve të Agjencisë së Barnave, ushtronin kontrolle në subjekte të ndryshme farmaceutike dhe duke shpërdoruar detyrën, merrnin shuma parash, për të mos raportuar shkeljet ligjore që kryheshin nga këto subjekte.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet si rezultat i një hetimi disamujor të ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Farmacisti”, për gjurmimin dhe goditjen e rasteve të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Shpërdoruan detyrën dhe morën para, për të mos raportuar shkeljet që kryheshin nga subjektet farmaceutike ku ata ushtronin kontroll, vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.
Të arrestuarit, përgjegjësja dhe specialisti i Agjencisë së Barnave, ndërsa i shpalluri në kërkim, një tjetër specialist i kësaj agjencie.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, me qëllim konstatimin e rasteve të korrupsionit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Farmacisti”.
Si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit:
– B. Xh., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, përgjegjëse e Agjencisë së Barnave;
– L. Ç., 35 vjeç, banues në Tiranë, specialist i Agjencisë së Barnave.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore-procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi A. L., 28 vjeç, specialist i Agjencisë së Barnave.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Farmacisti”, ka rezultuar se këta shtetas, në cilësinë e punonjësve të Agjencisë së Barnave, ushtronin kontrolle në subjekte të ndryshme farmaceutike dhe duke shpërdoruar detyrën, merrnin shuma parash, për të mos raportuar shkeljet ligjore që kryheshin nga këto subjekte.
Vijon puna për kapjen e shtetasit A. L., si dhe për evidentimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.