“U përballëm me një nga sulmet më të rënda kibernetike nga Irani”
Zhvillohet në Presidenca mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Në fjalën e tij, Presidenti Bajram Begaj është shprehur se viti që lamë pas ishte i vështirë dhe sfidues për sigurinë kombëtare të vendit duke përmendur këtu sulmet kibernetike të sponsorizuara nga Irani.
Begaj u shpreh se sulmet kibernetike nuk shkaktuar probleme në infrastrukturën dixhitale në vend, por ishte me qëllime të dukshme politike për të shkaktuar destabilitet.
Për kreun e shtetit, vende me interesa jo miqësore ndaj Shqipërisë, nëpërmjet instrumenteve të ndryshëm janë përpjekur të zgjerojnë influencën dhe të frenojnë proceset integruese euro-atlantike të vendit.
Gazetarja Elja Zotka bëri me dije gjatë një lidhjeje live për edicionin informativ të Tv Klan informacione të tjera se çfarë ka ndodhur në mbledhje.
“Formati ishte formati klasik i Këshillit të sigurimit. Merrte pjesë kryeministri. Është aktualisht kryetarja e Kuvendit. Janë 7 anëtarë të kabinetit qeveritar, kryesisht ministrat që kanë lidhje me sigurinë kombëtare, po ashtu është zv/drejtori i përgjithshëm i SHISH, është drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, është Guvernatori i Shqipërisë, është kryetari i grupit parlamentar të Sigurisë por si i ftuar në mbledhjen e sotme ka qenë dhe zv/kryetari i këtij komisioni, deputeti i opozitës, zoti Ferdinand Xhaferri. Çështjet që janë diskutuar janë të shumta. Në fakt nuk ka një çështje specifike që e detyroi presidentin të thërrasë këtë mbledhje. Është folur për sigurinë kibernetike, sulmet që iu bënë sistemeve qeveritare, portalit qeveritar e-Albania. Është folur për situatën e krijuar në veriun e Kosovës. Kjo mbledhje është më shumë për të bërë një analizë dhe të gjitha masat që marrin institucionet përgjegjëse për sigurinë kombëtare”, raportoi gazetarja.