Vjosa Osmani takon Papa Françeskun, synim njohja e Kosovës nga Vatikani

Presidentja Vjosa Osmani njofton se është pritur në një audiencë private nga Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Synim i këtij takimi, thotë Osmani, ka qenë ndër të tjera dhe njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Vatikani.

“E lumtur të pritesha në audiencë private nga Papë Françesku në Selinë e Shenjtë. Papën e njoftova me vendosmërinë tonë për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera të popullit tonë, mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dymijë vjetësh edhe raportet tona me Selinë e Shenjtë.

Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës. Ishte kënaqësi e veçantë po ashtu që të shkëmbeja me të pikëpamjet mbi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe progresin e vendit tonë drejt këtij synimi.

Thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi ynë i përbashkët. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore”, shkruan Presidentja Vjosa Osmani.

Të Fundit