Rasti i vjedhjes së 120 mijë eurove nga pastruesja Rozeta Dobi në banesën e ish-zyrtares së lartë, Alda Klosi, vijon të mbetet kryefjalë e mediave në ditët e fundit.
E teksa Prokuroria po vijon hetimet mbi burimin e parave, sipas A2 CNN ka ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas përballjes me një sëmundje të rëndë xhaxhai i Alda Klosit, Ylli Çika.
Kujtojmë se në deklarimet e dhëna në polici Klosi tha se 120 mijë eurot e grabitura në banesën e saj janë të xhaxhait i cili ia kishte dhënë për të mobiluar shtëpinë dhe për nevoja të tij pasi ishte i sëmurë me kancer.
Por burime jo zyrtare thanë për A2 CNN se familja e Ylli Çikës ish-kirurg dentar, nuk ka pasur dijeni lidhur me deklarimet e Alda Klosit në polici dhe prokurori dhe gjithashtu kanë mohuar përfshirjen e tyre në këtë histori.
Diçka e tillë vë në vështirësi gjetjen e burimit të parave, ndërsa prokurorja Mirela Zavalani i tha A2 CNN se dosja vijon të jetë në hetim dhe se prokuroria ende nuk ka dalë në një konkluzion sa u përket deklarimeve të ish-zyrtares.
Kujtojmë se përgjimet ambientale në paraburgim të pastrueses, Rozeta Dobi dhe djalit të saj Havier Dobi çuan në gjetjen në shtëpinë e tyre dhe të 400 mijë euro të tjera të fshehura në tubin e aspirimit.
Vetë Rozeta Dobi tha se paratë i kishte marrë në shtëpinë e Klosit, ndërsa saga e pronësisë së 400 mijë eurove vijon të mbetet mister.