Në natën e ndërrimit të viteve, kryeministri i vendit, Edi Rama ka uruar paqe për gjithë shqiptarët. Me nota humori i kërkoi falje shqiptarëve nëse e ka tepruar me prezencën e tij në shtëpinë e çdo qytetari dhe theksoi se nëse do të kishte mundësi të bënte më shumë, do ta kishte bërë padyshim.
“Kam bërë sa kam mundur dhe nëse do mundesha më shumë s’do ta kisha lënë pa bërë.”
Mesazhi i plotë i kreut të qeverisë:
Sonte nuk kam një mesazh tradicional, kjo është nata e familjes suaj, miqve e të afërmve tuaj dhe mua më keni pasur thuajse çdo ditë në shtëpi.
Ju kërkoj ndjesë nëse e kam tepruar, nëse s’kam folur si duhet, nëse kam gabuar, shumë ndjesë!
Kam bërë si çdo vit gjithë sa kam mundur, por jo gjithçka kam dashur, të mundesha më shumë s’e kisha lënë pa bërë.
Ka qenë një tjetër vit tejet i vështirë, të cilin inflacioni i luftës dhe çmendja e çmimit të energjisë e kanë bërë një vit të zymtë për mbarë Europën.
Kemi pasur sidoqoftë edhe ditë të mira – mes tyre edhe ditë historike, si finalja e parë europiane e futbollit në Shqipëri apo Samiti i parë i BE-së jashtë kufijve të Bashkimit Europian, pa harruar momentin kulmor të shumëpritur, çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Po me punët e me progresin e bërë gjatë këtij viti nuk po ju marr asnjë minutë nga mbrëmja e sotme.
Minutin tjetër do t’jua marr për t’ju lexuar një tekst të vjetër, që mua më mahnit gjithnjë dhe ndjehem sonte i privilegjuar ta ndaj me ju, nga Ekleziastët:
“Nën këtë qiell ka një kohë për gjithçka dhe ka një stinë për çdo veprim: Një kohë për të lindur e një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë e një kohë për të shkulur, një kohë për të vrarë e një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur e një kohë për të ndërtuar, një kohë për të vajtuar e një kohë për të qeshur, një kohë për zi e një kohë për valle, një kohë për t’i hedhur e një kohë për t’i mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar e një kohë për t’u rezervuar në përqafime, një kohë për të këmbëngulur e një kohë për të hequr dorë, një kohë për të mbajtur e një kohë për të flakur, një kohë për të prishur e një kohë për të ndrequr, një kohë për të heshtur e një kohë për të folur, një kohë për të dashur e një kohë për të urryer, një kohë për luftë e një kohë për paqe”.
Qoftë Viti i Ri një kohë për paqe, për dashuri e për plot të qeshura për ju, familjen dhe miqtë e të afërmit tuaj!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!