Mjekët i amputuan këmbën e shëndetshme, dënohen me 383 mijë euro gjobë

Familja e një 60-vjeçari në Itali do të dëmshpërblehet me 383 mijë euro, pasi mjekët i prenë njërën këmbë pas trajtimit të gabuar. Rasti është regjistruar në spitalin “San Giovanni” në Romë, ku pacienti fatkeq është paraqitur me simptoma të ishemisë në këmbën e majtë. Por mjekët kanë ndërhyrë disa herë edhe në të djathtën, pavarësisht mungesës së simptomave si dhimbje apo qarkullim gjaku i reduktuar. Kjo ka sjellë si pasojë amputimin e gjymtyrës. Tashmë ekipi mjekësor duhet ta dëmshpërblejë familjen e pacientit me 383 mijë euro.Vetë pacienti, Adalberto Arcidiacono, ka ndërruar jetë për arsye që nuk kanë lidhje me amputimin.

Dënimi është dhënë para pak ditësh nga Gjykata Civile. Por ngjarja daton në fund të vitit 2012. Ishte 9 nëntori kur Arcidiacono shkoi në urgjencën e San Giovanni Adolorata sepse ndjeu dhimbje të forta në këmbën e majtë. Mjekët e shtruan në spital me diagnozën “ishemia e gjymtyrës së poshtme të majtë”. Një situatë e rëndë aq sa në muajin në vijim pacienti do t’u nënshtrohej 18 operacioneve të ndryshme. Në fillim mjekët u kufizuan në trajtimin e këmbës së majtë, me tre arteriogramë me fibrinolizë dhe dy për kontroll. Megjithatë, që nga dita e dhjetë e tutje, mjekët e kthyen vëmendjen te këmba e djathtë. Bënë tetë arteriografi me fibrinolizë, dy tromboaspirime dhe tre arteriografi kontrolluese.

Siç vëren gjyqtari në arsyet e dënimit, deri atëherë Arcidiacono nuk kishte shfaqur asnjë simptomë në këmbën e djathtë, ndërsa pas këtyre operacioneve ka pasur një përkeqësim të gjendjes së pacientit me fillimin e “ishemisë së pakthyeshme të gjymtyrës”. Në përpjekje për të shpëtuar këmbën e tij, Arcidiacono u transferua fillimisht në klinikën Pius IX dhe më pas në San Camillo. Megjithatë, mjekët nuk mund të bënin gjë tjetër veçse t’i amputonin këmbën. Më 13 janar 2013, Arcidiacono u kthye në shtëpi, fatkeqësisht pa këmbën e djathtë. Pak kohë më pas, ai ngriti një padi civile. Por në vitin 2016, në moshën 64-vjeçare, ai vdiq për arsye që nuk lidhen me operacionin e 2012. E veja Juana Eugenia Steffan, e përfaqësuar nga avokatët Antonio dhe Marco De Fazi, e vazhdoi betejën ligjore të nisur nga bashkëshorti i saj.

Sipas vendimit të gjykatës, trajtimet e përsëritura në këmbën e djathtë ishin një vendim “i përgjegjshëm”. Mjekët, përmes konsulentit të tyre, argumentojnë se gjymtyra ishte prekur. Por për gjyqtarin “ky justifikim nuk pasqyrohet në kartelat mjekësore”. Ku shkruhet se “pacienti nuk ankohet për dhimbje dhe ekzaminimi angiografik tregon qarkullim adekuat”. Përkundrazi, terapitë e përsëritura të vendosura nga mjekët, sipas gjyqtarit, kanë shkaktuar një trombozë të pakthyeshme. Gjykata konkludon se në rastin e 60-vjeçarit ka pasur një rrezik të caktuar ishemik, por “në mungesë të simptomave, trajtimi agresiv nuk mund të justifikohet”.Corriere

 

Të Fundit