Hamdi Topalli, banues në Laç, lagjia 5 Sanxhak, thotë, se kërkon regjistrimin e nënës së tij Xhemile Selman Topalli, e cila ka lindur në Orenjë dhe më pas është larguar me Laç. Por e moshuara ka problem me aktin e largimit, pasi punonjësja e gjendjes civile, nuk e ka regjistruar me numër rendor dhe nuk gjendet.Hamdiu tregon, se iu drejtua Zyrës së gjendjes civile në Orenjë, ku i thanë, se duhet të interesohej në Tiranë, ku sërish nuk zgjidhën gjë. Hamdiu i është drejtuar Gjendjes Civile të Përgjithshme, ku ka dalë edhe një herë pa zgjidhje. Stacioni dhe shpresa e fundit i ka mbetur “Stop”-i. Vetë Xhemile Topalli,thotë, se kërkon të regjistrohet, pasi nuk po merr as pension, as ilace me rimbursim dhe as nuk mund të votojë. Punonjësit e Gjendjes Civile në Librazhd konfirmojnë, se Xhemile Selman Topalli ka lindur në Orenjë, por akti i largimit nuk është regjistruar. Punonjësi përgjegjës Agim Balla, nuk përgjigjet në telefon.
Një qytetar është ndalur bashkë me gomarin për të mbushur bombulën e gazit.Në Elbasan një qytetari i ka ardhur në majë të hundës me ata që i këpusin lulet ndaj ka provuar ta zgjidhë me shkrimin “mos këput lulet o kafshë”!
Në Fier shtyllat elektrike janë në rënie të lirë. Në Udenisht Pogradec, shtyllat elektrike janë bërë si merimangë në oborrin e një shtëpie.Edhe në Tfinë një shtyllë elektrike është thyer. Janë këto disa nga episodet, që shfaqen e komentohen në pjesën e parë të emisionit.
Pas shumë kërkimesh gazetarja e emisionit “Stop” arrin të takojë zotin Agim Balla, Punonjësi i Gjendjes Civile Orenjë, i cili thotë, se për regjistrimin e të moshuarës Xhemile Selman Topalli, duhet të shohë në regjister, në një kohë. Që për problemin është vënë në dijeni 5 ditë para. Pas verifikimit, Agimi shpjegon, se e moshuara figuron te njësia 1, 2 dhe 3 në Tiranë, por punonjëset nuk e gjejnë dot. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile na premtojnë zgjidhjen e rastit. Dhe pas një odiseje të gjatë, ne arrijmë të regjistrojmë Xhemile Selman Topallin, e cila deri tani privohej nga pensioni, barnat me rimbursim dhe e drejta e votës.