Puthja mes dy burrave në Rusinë e ditëve të sotme mund të konsiderohet lehtësisht një pamje e rrallë, një vatër skandalesh…një turp i madh që ‘s’e ka shokun’.
Por, sovjetikët që e organizonin jetën prapa Perdes së Hekurt, e njihnin mirë këtë pamje. Madje madje, në ato vite vulosja e buzëve mes dy burrave komunistë, mund të konsiderohej edhe si një ndër aktet më të larta që manifestonte më së miri protokollin e lashtë të vëllazërisë socialiste.
Ky ritual ka arritur të nguroset në kohë me ndihmën e fotografëve, të cilët na kanë trashëguar një seri fotosh që duket se janë shkrepur vetëm për të provuar shprehjen se ndonjëherë, heshtja vlen sa njëmijë fjalë. Dhe meqenëse fotot në vetvete janë të heshtura, i shkon për shtat të thuhet edhe se këto foto, vlejnë vërtetë më shumë se njëmijë fjalë.
Është thënë shpesh, se ‘Puthja vëllazërore socialiste’ ishte një shprehje e barazisë – duke përmbysur kështu zakonin e regjimit të lashtë të nënshtetasve të ulët që puthnin duart e fisnikëve (ose këmbët, në Romën apo Persinë e Lashtë).
Një nga puthjet më të famshme në histori ka ndodhur mes 2 burrave dhe jo çdo lloj burrash por gjermano-lindorit Erich Honecker dhe sovjetikut Leonid Brezhnev.
Ngjarja ndodhi gjatë 30 vjetorit të Republikës Demokratike Gjermane në vitin 1979.
Liderët që vendosën fatin e gjysmës së Europës u takuan në formë simbolike para Murit të Berlinit. Leonid Brezhnev ishte ftuar nga përfaqësuesit e pushtetit komunist në Gjermaninë Lindore, Eric Honecker, për të festuar 30 vjetorin e gjysmës komuniste të Gjermanisë.
Pasi u ngjitën së bashku në foltoren zyrtare dhe lideri sovjetik mbajti fjalimin e tij, ai u kthye nga Eric Honecker, e përqafoi dhe më pas, për habinë e gjithë botës dhe kënaqësinë e fotoreporterëve, të dy liderët u puthën me njëri-tjetrin për një kohë të gjatë.
Momenti është përjetësuar në mënyrë perfekte nga fotografi Regis Bossu.
Por kjo nuk do të ishte e vetmja puthje mes dy burrave komunistë, edhe pse duhet thënë ajo do të mbetej më e famshmja.
Këtu, diktatori sovjetik Josef Stalin duket i pasigurt ndërsa piloti Valery Chkalov (djathtas) mbështetet për një puthje në vitin 1936.
Deri në vitin 1937, Stalini duket se është ngrohur me praktikën.
Ushtarët e Ushtrisë së Kuqe puthen pas shpalljes së fitores ndaj Gjermanisë naziste.
Ajo që duket si një kërcim i fundit është në fakt një ngjarje shtetërore për të mirëpritur kozmonautët në Tokë të udhëhequr nga udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushovi (i treti nga e majta).
Një kënd tjetër i ngjarjes së vitit 1962 tregon Hrushovin në mes të puthjes. Puthja vëllazërore socialiste zakonisht rezervohej për faqet, por ndërsa entuziazmi për utopinë komuniste filloi të zbehej, puthjet madhështore vetëm sa u rritën për nga pasioni i tyre.
Dhe askush nuk u puth si lideri sovjetik Leonid Brezhnev, i fotografuar (në qendër) duke përshëndetur komunistin Konstantin Chernenko në Krime në vitin 1980.
Puthja e Brezhnjevit përfshinte tri puthje, zakonisht në faqe të alternuara; por sa më të ngushta ishin lidhjet mes shteteve sovjetike, aq më afër bëhej puthja.
Kjo përshëndetje e famshme midis Brezhnevit dhe liderit të Gjermanisë Lindore Erich Honecker në vitin 1979 u përjetësua më vonë në një mural të titulluar ‘Zot më ndihmo të mbijetoj këtë dashuri vdekjeprurëse!’
Tre vjet para rënies së Murit të Berlinit, Honecker e shtrëngon fort Gorbaçovin gjatë vizitës shtetërore të këtij të fundit në Gjermaninë Lindore në vitin 1986.
Në ditët e fundit të BRSS në vitin 1991, zyrtari sovjetik Ivan Silayev rrëmben një puthje të fundit ndërsa kampioni i tenisit Andrei Cherkasov ëndërron për një të ardhme më të ndritshme.
Por për komunistët këmbëngulës si Ushangi Davitashvili, i cili mban një faltore për Stalinin në kopshtin e tij në Tbilisi, tradita e buzëve vazhdon, edhe nëse ato buzë janë kthyer prej kohësh në gurë.
Puthja vëllazërore komuniste
Puthja është një simbol i kulturës politike komuniste, edhe pse kurrë nuk arritëm ta shihnim atë të portretizuar në pikturë apo të tjera forma të artit pamor në stilin e realizmit socialist.
‘Puthja vëllazërore komuniste’ është përshkruar shpesh si një vulë e mirëkuptimit midis dy liderëve ose një shenjë e një lidhjeje të ngushtë midis dy vendeve.
Kjo lloj puthjeje praktikohet shpesh në faqe, të paktën në shumicën e rasteve. Por, tradita vjen edhe nga Kisha Ortodokse dhe është një formë e shprehjes së lidhjes së ngushtë midis anëtarëve të komunitetit.
Për liderët politikë komunistë, kjo puthje ishte shpesh edhe thjesht një formalitet. Kur Muri i Berlinit ra në vitin 1989, artisti sovjetik Dmitry Vrubel vendosi të pikturonte një riinterpretim të puthjes së dy liderëve komunistë.
Muralja në rrënojat e murit u pagëzua nga artisti me titullin “Puthja e vdekjes”, por në cep të figurës shkruhet: Zoti më ndihmoftë t’i mbijetoj kësaj dashurie vdekjeprurëse.”/Euronews