Panele diellore për familjet, Rama: Hapet thirrja e parë, subvencionim 70% nga qeveria

Për të gjithë komsumatorët familjarë që dëshirojnë të vendosin panele diellore për ngrohjen e ujit dhe të përfitojnë subvencionim nga qeveria, është hapur thirrja e parë.

Kryeministri Edi Rama thotë se ky është programi i ri i qeverisë që do të subvencionojë 70% të financimit.

Panelet diellore për ngrohjen e ujit për abonentët familjarë do të ndikojnë pozitivisht në uljen e konsumit të energjisë elektrike.

“Çelet thirrja e parë për programin e ri të qeverisë për subvencionim me 70% të financimit, për çdo familje që do të aplikojë për panele diellore për ngrohjen e ujit. Kështu kursehen 20% nga fatura juaj mujore e energjisë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përmes AEE do të menaxhojë këtë proces”, shkruan Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.

Kriteret për Aplikim për subjektet e tregtimit:

1) Subjekti (person fizik ose juridik) të jetë në status aktiv dhe i regjistruar në regjistrin tregtar sipas legjislacionit në fuqi, dhe ka në fushën e veprimtarisë objektin e financimit.

2) Të vërtetojë se nuk ka detyrime ndaj organeve tatimore.

3) Të jetë furnitor i dorës së parë ose distributor.

4) Dokumente që vërtetojnë se produkti plotëson standartet Europiane dhe çertifikimin CEN Solar Keymark që garanton cilësi të lartë të produktit, siguri në përdorim, jetëgjatësi dhe rendiment të lartë si dhe karakteristikat teknike të mëposhtme:

Karakteristikat teknike të depozitës së ujit.

§ Depozite uji material çelik-inoks – INOX 316L HiMo.

§ Termoizolimi i depozitës së ujit (polyurethane 70mm, 35-40Kg/m3).

§ Veshja e jashtme e depozitës së ujit 304BA çelik-inoks.

§ I gjithë sistemi të jetë me rezistence të lartë ndaj ndryshkjes.

§ Sistemi të jetë i përshtatshëm si për montim në çati ose tarracë.

§ Depozita e ujit te kete kapacitet 200 litra.

Karakteristikat teknike të pasqyrave:

§ Kornizë alumini të anodizuar.

§ Sipërfaqja e pasqyrës me veshje blu e bërë nga fletë alumini 0.5mm të trasha, të salduara me teknologji lazer.

§ Tubat e brëndshëm të jenë tërësisht prej bakri.

§ Izolim me tekstil me lesh xhami me trashësi 50 mm në anën e pasme dhe lesh guri 20 mm të trashë në konturet anësore.

§ Koeficienti i përthithjes α ≥ 0,95 ± 0,02

§ Emisiviteti sipërfaqësor (humbjet e rrezatimit sipërfaqësor) ε ≤ 0,05 ± 0,02.

5) Garancia e panelit diellor për ujë të ngrohtë dhe depozitës së ujit dhe materialeve përbërëse, te jetë jo më pak se 5 vite për depozitën e ujit dhe jo më pak se 7 vite për panelin diellor.

6) Skeda teknike e panelit diellor dhe impjantit konform kritereve teknike të kërkuara.

7) Preventivin/ofertën për impjantin duke përfshirë dhe kostot e transportit e instalimit, e cila nuk duhet të tejkalojë vlerën 140,000 Lek (pa TVSH). Oferta financiare do të jetë detyruese dhe ofertuesi nuk mund të lëshojë faturë me çmim të ndryshëm nga oferta e paraqitur.

8) Të deklarojë sasitë e paneleve diellore që mund të furnizojë për klientët familjarë.

9) Të deklarojë qytetet ku mund të ofrojë shërbimin.

10) Të pranojë kryerjen e shërbimit kundrejt konsumatorëve familjarë nga shitja deri tek kolaudimi i panelit diellor për ngrohjen e ujit brenda datës 30 Janar 2023.

11) Të angazhohet se pranon vetëm 30% të financimit nga abonentet familjarë dhe 70% të investimit nga Agjencia për Eficencën e Energjisë pas instalimit të panelit diellor.

12) Formular Vetëdeklarimi sipas Shtojcës 1.

/tvklan.al

Të Fundit