Spitali i Traumës ka reaguar pas arrestimit të mjekut Fitim Marku ditën e sotme, i cili akuzohet se mori ryshfet nga pacienti i tij.
Në një reagim për mediat, spitali Universitar i Traumës inkurajon organet e drejtësisë për ta çuar deri në fund hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes dhe kërkon që të vërë para drejtësisë këdo që është i përfshirë.
Po ashtu në deklaratën e tyre thuhet se kjo ngjarje nuk duhet të njollosë punën e bluzave të bardha.
“Nisur nga ngjarja e sotme e ndalimit të mjekut me inicialet F.M, Spitali Universitar i Traumës inkurajon organet e drejtësisë për të çuar deri në fund hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës, për të vënë para përgjegjësisë këdo që përfshihet në veprime të kundërligjshme, përkundrejt shërbimit që ofrohet për qytetarët.
Raste të tilla nuk duhet të përkthehen në njollosjen e të gjitha bluzave të bardha, mjekëve dhe infermierëve, të cilët e kryejnë me përkushtim dhe korrektesë punën e tyre çdo ditë në shërbim të pacientëve.
Garantojmë qytetarët se, në Spitalin Universitar të Traumës nuk u ndërpre dhe nuk do të ndërpritet në asnjë moment shërbimi për këdo që ka nevojë për kujdes mjekësor”, thuhet në reagim.