Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro përfitoi nga udhëtimi i tij në Britaninë e Madhe, ku mori pjesë në funeralin e Mbretëreshës, për t’u bërë propagandë qytetarëve të vendit të tij. Presidenti brazilian ndaloi në një pikë karburanti në Londër dhe u tregoi qytetarëve të tij se sa e shtrenjtë është benzina në Britaninë e Madhe.
Ndërsa qëndronte në një pikë të Shell në Bayswater Road të Londrës, presidenti kontrovers i Brazilit vuri në dukje tabelën elektronike që tregonte çmimin 161.9 p për një litër pa plumb.
Në një video të filmuar me celular, Bolsonaro tha se kostoja është “praktikisht dyfishi i mesatares së shumë shteteve braziliane” dhe gjithashtu shtoi se karburanti në Brazil është ndër më të lirët në botë.
“Jam këtu në Londër, Angli, dhe çmimi i benzinës është 1.61 £, kjo është rreth 9.70 R$ për litër,” tha ai.
“Benzina jonë është në fakt, ndër më të lirat në botë”, pohoi ai.
Videoja u postua në rrjet një natë para funeralit të Mbretëreshës.
Nuk ishin të paktë ata që i vunë në dukje presidentit brazilian se krahasimi nuk ishte aspak i drejtë. Kjo pasi pasi paga minimale e Brazilit është shumë herë më e ulët se ajo e Mbretërisë së Bashkuar.
Kujtojmë se presidenti i Brazilit po i bën jehonë “rënies” së çmimit të karburantit në vend, ndërsa përpiqet të fitojë rizgjedhjen muajin e ardhshëm.
Sondazhi i fundit nga IPEC tregon se ish-lideri Luiz Inacio Lula da Silva është përpara me 47% kundrejt 31% të Bolsonaros.
Bolsonaro është akuzuar po ashtu për përdorimin e udhëtimit të tij në Londër për t’u fotografuar mes liderëve botërorë në një përpjekje për të rritur vlerat e imazhit e tij dhe për ta përdorur atë si një platformë për fushatën e tij.