Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë të martë Beratin, i cili është një nga qytetet ku ka nisur puna në kuadër të Programit Kombëtar të Efiçencës Energjetike.
Sipas kryeministrisë ky program po shtrihet në shumë qytetet të vendit si në Durrës, Peshkopi, Elbasan, Korçë, Vlorë, Orikum e Shëngjin, ku punohet për rigjenerimin e banesave me sistemet kapot, termoizolimin, hidroizolimin e tarracave, heqjen nga tarracat dhe qendërzimin e depozitave të ujit, masa që ulin deri në 30% konsumit e energjisë dhe lehtësojnë ngarkesën në rrjet.
Ndërkaq, Rama sot pa nga afër punën që po bëhet në Berat në fasadat e 17 pallateve në një prej lagjeve të tij, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Beratit Ervin Demo.
“Këtu jemi falë programit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ajo çka është e rëndësishme është që kjo është një impakt i drejtpërdrejtë për banorët. Kjo ka të bëjë direkt me eficencen e energjisë sidomos në këtë kohë që po kalojmë, kjo prek, jo vetëm banorët nga pikëpamja estetike e lagjes, por mbi të gjitha edhe në xhepin e tyre. Ky është një program i jashtëzakonshëm pasi ri sjell në zonat apo në skutat më të errëta të qytetit po e quajmë një lloj shprese dhe fillon gjallëron vet jetën komunitare në këtë zonë. Këtu kemi afërsisht 17 pallate, do të fillojmë me fazën e parë. Kemi dhe shkollën që është gjithashtu e përfshirë në projekt dhe realisht është një bllok me intensitet shumë të madh dhe pallatet janë më numër të lartë banesash. Me ritmet që po ecim besoj do mbarojmë brenda muajit nëntor.” – u shpreh Kryetari i Bashkisë së Beratit Ervin Demo.
Ndërsa Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli shtoi se programi është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. “Ka filluar me qytetet kryesore. Sot që flasim jemi duke punuar në Durrës, jemi duke punuar në Peshkopi, jemi duke punuar në Elbasan, në Korçë, në Vlorë ashtu siç jemi duke vlerësuar dhe zona turistike si Shëngjini, Orikumi, dhe nga pikëpamja e eficencës së energjisë”.