Me qindra qytetarë shqiptarë kanë dalë mbrëmjen e sotme në protestë përballë Ministrisë së Brendshme, pas ngjarjes tragjike të dy ditëve më parë në plazhin e Potamit në Himarë.
Ajo që bie në sy janë thirrjet e qytetarëve të cilët kërkojnë drejtësi për Jonada Avdian, 7-vjeçarja e cila u vra në breg të detit pasi u përplas nga skafi i drejtuar nga oficeri i policisë Arjan Tase.
Në protestë gjithashtu janë edhe fëmijë të cilët mbajnë në duart e tyre pankarta ku shkruajnë” A mund të luaj në breg me babin?”.
7-vjeçarja Jonada Avdia u godit nga skafi me motor të fuqishëm në plazhin e Potamit, pasi efektivi Tase kishte lënë familjen e tij dhe me shpejtësi po manovronte për t’u kthyer në det të hapur.
Mëngjesin e së enjtes, drejtues të opozitës, por edhe vetë Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ishin për ngushëllim në familjen e viktimës.