Ministrja Balluku “pret” tifozët në Rinas, zbulon për kë do të bëjë tifo sonte

Nga aeroporti i Rinasit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku “ka pritur” tifozët ku dhe ka dhënë një intervistë për Klan News përsa i përket masave të marra për hyrjet e tifozëve të ekipit të Romës dhe Feyenoord në vendin tonë.

Balluku ka thënë se finalja e Conference League që do të mbahet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania” në Tiranë ka sjellë një numër shumë të marrë tifozësh, gjë që ka tejkaluar dhe numrin e udhëtarëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë pikut të verës.

Belinda Balluku: Dje ka qenë një ditë e ngarkuar pasi zakonisht në pikun gjatë verës, numri i avionëve që ne përpunojmë gjatë ditës është 110, ndërkohë që vetëm dje kemi përpunuar 146 avionë. Gjithçka ka shkuar në mënyrën e duhur dhe kemi kërkuar nga UEFA që pasgjerët të jenë pa bagazhe. I gjithë ky proces ka ecur siç duhet. Ka qenë një sfidë shumë e madhe. Tani jemi në kulmin e trafikut. Në orën 16:40 pritet avioni i fundit. Duhet thënë se aeroporti i Rinasit po performon në mënyrën më të mirë. Numri i avionëve pritet të shkojë 180 avionë. Deri tani ka shkuar qetë, shpresoj se kështu do të jetë gjatë gjithë ditës.

Ministrja Balluku ka shpejguar më tej si do të funksiojë rikthimi i tifozerive pas përfundimit të ndeshjes.

Belinda Balluku: Mbrëmja do të jetë pak më e vështirë, janë marrë masat e duhura. Rreth orës 1 pas mesnate do të vijnë autobusët e parë, do të ndalojnë që të gjithë në zonën e universitetit Epoka dhe aty policia do t’i ndajë për t’i sjellë në Rinas vetëm atë avion që është gati për të fluturuar. Kështu që do të shmangim problematikën midis dy tifozerive e cila është dukur e acaruar gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme. Për të parandaluar çdo lloj përplasje mes dy palëve dhe për t’i dhënë mundësi që edhe fuqitë që ne kemi angazhuar këtu të koordinohen me njëri-tjetrin, do të bëhet një postobllok i parë tek zona e universitetit Epoka dhe gjithçka do të shkojë pastaj sipas një radhe të koordinuar. Nga porti i Durrësit kemi pasur hyrje, gjithë drejtuesit kanë qenë në gatishmëri. Numri në aeroport ka qenë rreth 20 mijë pasagjerë të mbërritur në 30 orë, ndërkohë që nga porta e portit të Durrësit numri ka qenë më i vogël. Gjithçka po shkon mirë deri tani.

E pyetur nga gazetari i Klan News, Maksi Rama se për cilën nga skuadrat bën tifo, ministrja Balluku është shprehur se sonte nuk do të bëjë tifo për asnjërën, por që Shqipëria të shkëlqejë.

Belinda Balluku: Personalisht nuk do të bëj tifo për ndonjë skuadër, por do të bëj tifo që Shqipëria të shkëlqejë në këtë event dhe të futemi në listën e atyre vendeve që UEFA do të preferojë për t’i dhënë mundësi për organizime të mëtejshme./tvklan.al

Të Fundit