Qeveria po përgatit një ligj të ri për bletarinë. Vetë ata që punojnë në këtë sektor thonë se nuk janë konsultuar. Disa, megjithatë, mendojnë se rregullat do të disiplinojnë tregun, ku ka dhe abuzime.
Ky ligj i ri vjen pas një dimri të vështirë për bletërritësit.
Bletërritësit e Fierit thonë se kanë pasur humbje në bletë. Nga rreth 40 mijë koshere në rang qarku, rreth 30% janë dëmtuar.
Shkak kanë qenë temperaturat e ulëta, mjekimi jo i rregullt, përdorimi pa kriter i pesticideve në bujqësi. Ata kërkojnë ndihmë nga autoritetet. Ndihmë që thonë se nuk u vjen nga ligji i ri që po përgatitet .
“Në radhë të parë projektligji duhet të njihej nga të gjithë, shoqata e bletërritësve dhe pastaj duhej të vihej në zbatim. Në presim produktet e bletës tani fillon mjalti, qumështi, nënproduktet e tjera,. Është shumë e thjesht të shkruhet në letra, por duhet të dimë si funksionon puna e bletës, pastaj të diskutojmë për projektligjet”, tha një bletar.
“Kemi kaluar dimër të vështirë, kemi pasur humbje në bletë, jo vetëm unë por gjithë bletërritësit si zonë, Për sa i përket projektligjeve duhet të kemi informacion më të zgjeruar rreth këtij projekti, të flitet me shoqatat pastaj me ne qytetarët”, shtoi ai.
Kushdo që merret me blete e ka të detyrueshëm regjistrimin e tyre, qoftë edhe vetëm një koshere.
Bletët nuk mund të transportohen pa lejen e autoriteteve dhe pa pasjen e një certifikate mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Nuk mund të importohen mbretëresha pa autorizimin e agjencive të sektorit. Gjoba për këto shkelje shkon nga 10 mijë deri në 60 mijë lekë.
Në Shkodër e shohin më me optimizëm vendosjen e rregullave për bletarinë. Por bletërritësit këtu denoncojnë abuzimet që janë bërë me ndihmën shtetërore.
“Është abuzuar me numrin e beterëve, ka individë që nuk kanë bletë fare dhe kanë subvencione në xhep”, tha bletari.
Shteti jep 1000 lekë subvencion për koshere për bletarë që kanë mbi 50 të tilla. Por jo më shumë se 150 mijë lekë për individ. Për të përfituar para, disa bletërritës ka futur lloje problematike bletësh, të cilat kanë dëmtuar të gjithë zonën.
“Bletarët duke krijuar familje të dobëta për të shtuar numrin për të marrë subvencionet, kanë krijuar probleme të jashtëzakonshme n bletë”, tha bletari.
Në të gjithë vendin ka rreth 12 mijë bletërritës, shumica janë pozicionuar në Shkodër e Korçë ku sipas statistikave janë vendosur mbi 110 mijë koshere./EuronewsAlbania