11 fëmijët e parë kanë marrë sot statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”. Statusin e veçantë këtyre fëmijëve, ua dha kryeministri Edi Rama në një ceremoni të veçantë, si shenjë mirënjohje për sakrificën vetëmohuese të prindërve të tyre.
Gjatë fjalës së tij Rama gjithashtu theksoi se po punohet për të shtuar një politikë të re që do të mbështesë nënat me tre fëmijë.
Kreu i qeverisë theksoi se janë krijuar programe për të mbështetur 270 mijë fëmijë nga të porsalindurit deri tek mosha 14 vjeç.
“Bëhet fjalë për të gjithë fëmijët që ende nuk kanë dalë në rrugën e jetës, Sot këtu janë 11 fëmijët e parë nën kujdesin e Republikës. Ndërkohë Komisionin e Posaçëm i ngritur për këtë qëllim vijon me trajtimin e rasteve të tjera. Sot nga politikat tona sociale përfitojnë afro 140 mijë fëmijë, që marrin ndihmë ekonomike, për fëmijët jetimë, të nënave që janë viktima të dhunës dhe trafikimit pagesa është trefishuar dhe për familjet me shumë fëmijë mbështetja financiare është dyfishuar. Po punohet për të shtuar një politikë të re që do të mbështesë nënat me tre fëmijë. Me programin e bonusit të bebeve kemi mbërritur me mbi 115 mijë fëmijë të mbështetur në aspektin financiar që nuk ka lidhje me mbështetjen e dikurshme. Po ashtu janë krijuar programe për të mbështetur 270 mijë fëmijë nga të porsalindurit deri tek mosha 14 vjeç, po ashtu ka nisur edhe rruga e hapjes së posteve për kujdesin dentar të fëmijëve në shkolla. Jemi kryelartë për të ecur përpara edhe pse ka ende më shumë për të bërë. Qeverisja është një proces ndërmjet të cilit mësojmë çdo ditë dhe kuptojmë, ndjejmë pulsin e shoqërisë duke u përpjekur që çdo ditë të përmirësohemi”, tha Rama.