Kriza e kastravecit, serat bosh prej krizës energjitike

Disa sera në Anglinë juglindore janë bosh, pasi pronari i tyre nuk ka mundësi të përdorë nxehtësi që të rrisë kastravecat.

Kostoja e lartë e energjisë ka bërë që tregu britanik të ketë mungesa të perimit.

Kultivuesit nuk kanë arritur të mbjellin as speca, patëllxhanë apo domate pasi një rritje e çmimeve të gazit natyror në fund të vitit të kaluar u përkeqësua nga pushtimi rus i Ukrainës, duke i bërë të korrat të paqëndrueshme ekonomikisht.

Kriza e kastravecit ka të ngjarë të ndërpresë dhe prodhimin e sanduiçit karakteristik me kastravec që shërbehet në turneun e tenisit Uimbëlldon dhe hotelet e mëdha në Londër.

“Çmimet e gazit janë shumë të larta, është një kohë shqetësuese,” tha kultivuesi Toni Montalbano për Reuters ndërsa qëndronte në një serë të zbrazët në Roidon në Luginën Lea, ku për 54 vjet tre breza të familjes së tij kanë kultivuar kastraveca.

“Kemi punuar kaq shumë për të arritur këtu ku jemi dhe për një vit u shkatërrua gjithçka,” shtoi ai.

Të Fundit